KPP rrëzon” Autoritetin Rrugor: Tenderi për tunelin e Kardhiq-Delvinë, u shpall fitues oferta më e lartë

Tenderi për lotin 7 të aksit rrugor Kardhiq-Delvinë, me një fond limit prej 2.33 mld lekë pa TVSH, ka përfunduar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, ndërkohë që ky i fundit ka konstatuar shkelje nga komisioni i Vlerësimit të Ofertave pranë Autoriteti Rrugor Shqiptar, duke kërkuar anulimin e vendimit mbi kompanitë që do të kryente punimet.

Ka qenë bashkimi I operatorëve ekonomikë “Gjoka Konstruksion” sh.a. & “Cobial” sh.p.k. & “JV “GR Albania” sh.p.k. & “Geoportal” d.o.o. degë e shoqërisë së huaj, të cilët kanë depozituar ankesën pranë KPP-së, me argumentimin se janë skualifikuar në mënyrë të padrejtë nga gara. Ata kishin ofruar 1.78 mld lekë për realizimin e punimeve, por ARRSH, pasi skualifikoi nga gara edhe 4 operatorët e tjerë pjesëmarrës në garë, shpalli fitues të tenderit bashkimin e operatorëve ekonomikë “Ircop” S.p.a. & “Sulova Ndërtim Prodhim” &”Vega” & “A&E Engineering”, që kishin dorëzuar edhe ofertën më të lartë për kryerjen e punimeve.

Me konkretisht, konsorciumi fitues, ofroi 2.29 mld lekë, një vlerë shumë pranë fondit limit prej 2.33 mld lekë të vënë në dispozicion nga ARRSH. Ndërkaq, pas shqyrtimit të ankesës, Komisioni i Prokurimit Publik i ka kërkuara ARRSH-së, kualifikimin e operatorëve ankimues, çka do të thotë se punimet për këtë vepër infrastrukturore do të kryhen me rreth 500 mln lekë më pak. Loti 7 për aksin Kardhiq-Delvinë përfshin ndërtimin e  tunelit, ndërkohë që ky tender nuk ka kaluar pa probleme duke qenë se fillimisht ARRSH kërkoi rishikimin e projektit ekzistues, por me ndryshimin e drejtuesve të institucionit gara u anulua, duke u rihapur mbi bazën e projektit ekzistues.

/ SCAN

SHKARKO APP