KQZ nis punën për zgjedhjet, kërkon 337 punonjës dhe diskuton për pagesën e anëtarëve në KZAZ dhe KQV
Pas caktimit të datës 30 qershor 2019 për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, Komisioni Qendror i Zgjedhje ka ndërmarrë hapin e radhës.
Në një njoftim për mediat, KQZ njofton se do të mblidhet në 10:00 paradite për të caktuar shpërblimin për anëtarët e KZAZ-ve, përdorimin e kamerave regjistruese, por edhe për miratimin e strukturës së punonjësve që do të merren me zgjedhjet lokale 2019.
“Për caktimin e masës së shpërblimit për anëtarët e KZAZ-ve, KQV-ve dhe anëtarëve të grupeve të numërimit të votave, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019. Për përdorimin e kamerave regjistruese dhe të monitorëve (ekraneve), për shfaqjen e fletëve të votimit në Vendin e Numërimit të Votave, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019. Për miratimin e strukturës organike dhe strukturën e pagave , të punonjësve me kohë jo të plotë pune, për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të datës 30 qershor 2019”- është rendi i ditës i mbledhjes së sotme.
Ndërkaq, ndarja e anëtarëve të komisioneve zonale dhe të qendrave të votimit do të jetë sfida e radhës mes mazhorancës dhe opozitës.
KQZ ka përgatitur strukturën e pagave të anëtarëve, pas miratimit të së cilës u takon katër partive të bëjnë propozimin për anëtarët.
Të drejtën do ta kenë PS dhe PD, partitë e dyta në të dy kampet politike, por me kusht që të kenë grup parlamentar.
Prej së majtës vetëm PS plotëson këtë kusht, ndërsa te e djathta janë PD, LSI dhe PR. Burimet kanë bërë të ditur se shpërblimi për angazhimin në administrimin e votimeve të 30 qershorit do të jetë i njëjtë si një vit më parë.
Kryetarët dhe zv. kryetarët do të shpërblehen me 65.000 lekë, për anëtarët dhe sekretarin e KZAZ-ve paga shkon në 60.000 lekë.
Kryetarët e KQV-ve do të shpërblehen në vlerën 4.000 lekë, ndërsa sekretarët e KQV-ve me 3.500 lekë.
Anëtarët e Grupit të Numërimit të Votave propozohet të marrin nga 6.000 lekë.
Megjithatë vendimi konkret do të merret ditën e mërkurë kur dhe parashikohet mbledhja e KQZ.
Sa i përket numërimit të votave, parashikohet vetëm përdorimi i kamerave regjistruese dhe të monitorëve për shfaqjen e fletëve të votimit në Vendin e Numërimit të Votave.
Në këtë mënyrë subjektet do të kenë mundësi të ndjekin procesin por dhe të kënë provë nëse duan të ankimojnë.
Për të administruar procesin, KQZ do të punësojë edhe 337 personave me kontratë të përkohshme nga 5 deri në 3 muaj.
Magazinerë, specialistë juridik e shërbimesh, teknik, sallë, përkthyes dhe operator janë nevojat që do të përzgjidhen me konkurrim nga KQZ.
Paga e tyre do të jetë nga 70 mijë lekë për specialistët e lartë, 40 mijë lekë për specialistët e tjerë, si dhe 30 mijë lekë për punonjësit e shërbimit.
KOHA JONË SONDAZH

