Krahu i djathtë i Ramës për Integrimin, ministrja Pirdeni zbulon çfarë e pret Shqipërinë

Shqipëria ka çelur grup-kapitullin e parë të negociatave. Ministrja e Shtetit për Administratën Publike, Adea Pirdeni vlerësoi kontributin e administratës publike dhe reformat. Ajo nënvizoi se ky proces është ndërtuar mbi parime meritokratike dhe se Shqipëria e ka fituar të drejtën e negociatave falë përpjekjeve dhe reformave.

“Reforma në administratën publike zë një vend qendror përgjatë gjithë procesit të negociatave, duke qenë një nga kriteret më të rëndësishme për funksionimin e shtetit. Shqipëria do të monitorohet gjatë gjithë kohës për zbatimin e detyrimeve të saj. Shqipëria ka sistem solid për koordinimin e politikave të ofrimit të shërbimeve publike dhe atyre online. Është lavdëruar menaxhimi i financave publike. Shqipëria konsiderohet si lider rajonal në këtë fushë”, tha Pirdeni në A2.

Sipas saj këto arritje janë dëshmi e angazhimit të fortë të Shqipërisë për përmbushjen e standardeve evropiane dhe hapin derën për avancime të mëtejshme në drejtim të integrimit në BE. Pirdeni theksoi rëndësinë e ”punës së pandërprerë të 1,700 zyrtarëve që kanë kontribuar në këtë rrugëtim, duke përfshirë fusha kritike si drejtësia, bujqësia, transporti dhe siguria ushqimore”.

Sipas saj, Shqipëria ka arritur një nivel të avancuar në zbatimin e reformës në drejtësi, çka e bën atë konkurruese me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. ”Objektivi për anëtarësim deri në vitin 2030 nuk është thjesht ambicioz, por është i mbështetur nga një vlerësim realist i Komisionit Evropian, si edhe nga vullneti i Parlamentit Evropian. Procesi përfshin dy dimensione: teknike, për përmbushjen e standardeve të BE-së, dhe politike, ku çdo vend anëtar ka të drejtë të shprehë qëndrimin e tij”.

SHKARKO APP