Krasniqi: Problem jo vetëm sistemi zgjedhor, por sesi funksionojnë partitë
Analisti Afrim Krasniqi, thotë se problemi i vetëm i Shqipërisë nuk është sistemi zgjedhor, por ai lidhet me mënyrën se si funksionon demokracia dhe mënyrën se si funksionojnë partitë politike. Krasniqi foli edhe për aktivitetin parlamentar 2019, si dhe për marrjen e drejtimit të OSBE-së nga Shqipëria.
”Tashmë është bërë rutinë monitorimi i Parlamentit. Duket sikur bëjmë ndonjë gjë të madhe, por në fakt është ajo që ne shohim çdo ditë. Ajo që ne shohim çdo ditë është një lloj formalizmi. Parlamenti ka kaluar nga një institucion, i cili duhet të jetë i referueshëm, deri diku te shpresa për ndryshim, në një institucion rutinor, ku vendimmarrja, shqyrtimet, nismat, e kanë humbur një pjesë të madhe të sensit. Lajmi për mua nuk janë kërkesat e deputetëve, por përse nga 140 deputetë, në periudhën një vjeçare, vetëm një numër prej 10-12 deputetësh i ushtrojnë këto kompetenca”,-tha në ”A2Cnn”.
Sistemi zgjedhor
“Ka një paradoks të madh. Nëse shohim fillimin e sezonit parlamentar në shtator, premtimi kryesor i kryetarit të grupit parlamentar të mazhorancës ka qenë se krye-tema e debatit në 4 muaj do të ishte reforma zgjedhore dhe brenda kësaj periudhe do të kishte zgjedhje të problematikës. Deri tani jo vetëm që nuk ka një zgjidhje, por nuk ka një draft konkret në parlament për të cilin ne mund të diskutojmë. Nuk ka asgjë në tavolinë. Po shkohet drejt një skenari për një reformë formale, kjo do të thotë për të qenë në rregull me rekomandimet e OSBE-ODIHR, por jo një reformë që do të zgjidhë gjërat që shqetësojnë qytetarët. Nëse duam të bëjmë një reformë zgjedhore, duhet të kishim një paketë që lidhen me 3 elementë, që lidhen me sistemin zgjedhor, nëse ka gjëra për të ndryshuar, në këto zgjedhje apo zgjedhjet e radhës, që lidhet me reformimin tërësor të ligjit të partive politike, me financimin elektoral. Përveç kësaj pakete, Shqipëria duhet të ketë një bazë ligjore për referendumet”.
“Problemi, jo vetëm sistemi, por mënyra se si funksionojnë partitë politike”
“Problemi kryesor nuk është vetëm thjesht sistemi, por mënyra se si funksionon demokracia në Shqipëri dhe mënyra se si funksionojnë partitë politike. Dy elementë të javës së fundit. Zgjedhjet në PS. Ka zona ku ka një kandidat dhe kandidati humbet, ka zona ku ka dy kandidatë dhe ka kontestim shumë të madh me prova. Në momentin kur partitë, pas 30 vitesh demokraci, nuk arrijnë të realizojnë zgjedhje demokratike brenda tyre, ne presim që ato parti të na sjellin demokraci?! Kjo nuk mund të ndodhë kurrë. Për herë të parë, PS bëri publike listën e delegatëve dhe kjo është shumë gjë e mirë, është risi. Por nëse merrni emrat e listës shihni se ato është e gjithë administrata shtetërore, janë të gjithë drejtuesit e enteve publike, të cilëve me ligj nuk u lejohet”.
Shqipëria në krye të OSBE
“Është një fat i madh që drejtojmë OSBE-në dhe është një rast negativ që Shqipëria drejton OSBE-në kur është në një krizë politike. Është hera e parë në historinë e Europës kur një vend drejton OSBE-në dhe nuk ka ministër të Jashtëm. Është hera e parë kur një vend drejton këtë institucion dhe nuk ka opozitë në parlament”.