Kreshnik Hajdari, jeta e lidhur me Kuçovën mes kujtimeve dhe aspiratave

Shkruar nga: Kejsi Demiraj

Në një qytet industrial si Kuçova, fëmijëria e Kreshnik Hajdarit kaloi në një pallat tipik të viteve ‘90. Ai kujton periudhën e trazuar të vitit 1997 dhe lojërat që i dhanë ngjyrë ditëve të asaj kohe. “Lojërat tona ishin ndryshe, lojëra që po t’i dëgjojnë fëmijët e sotëm do t’u duken si ‘parahistorike’: zhola, kushinieta me rreth, e shumë të tjera. Ne ishim shumë fëmijë që luanim në lagje, ndryshe nga sot, ku fëmijët janë zhdukur nga oborret.” Megjithatë, ai pranon se nuk ishte fëmija më i dhënë pas lojërave, por gjithnjë i motivuar për të mësuar. “Nuk kam qenë student ekselent, por shkollën e kam bërë me qejf, jo me presion. Shkolla për mua ka qenë kënaqësi, jo detyrim.”

Kreshniku i atribuon shumë nga formimi i tij familjes. Prindërit, përmes këshillave dhe shembullit personal, i dhanë një busull jetësore. “Ata nuk më udhëzonin vetëm me fjalë, por sidomos me sjellje. Unë i kam parë dhe i kam ndjekur në çdo situatë.” Figura e gjyshit dhe e të atit zënë një vend të veçantë në kujtesën e tij. Prej tyre trashëgoi jo vetëm vlerat e punës dhe ndershmërisë, por edhe pasionin për politikën. “Nëse jam sot në politikë, është shtysa e tim ati. Politika për mua nuk ka qenë kurrë një mjet për të siguruar një vend pune, por një pasion i lindur.”

Swiss Digital Desktop Reklama

Pas përfundimit të shkollës së mesme “5 Tetori” në Kuçovë, me prirje në lëndët shkencore, si matematika dhe fizika, Kreshniku ndoqi sugjerimin e të atit dhe konkurroi në degën e inxhinierisë elektrike. Studimet i përfundoi me sukses, ndërsa më vonë u regjistrua edhe për master në ekonomi, të cilin e mbylli me vonesë për shkak të angazhimeve politike. Por një kthesë e papritur i ndryshoi rrjedhën e jetës. Pas një takimi që kryetari i Partisë Socialiste i asaj kohe pati me të atin, atij iu ofrua të angazhohej në Forumin Rinor Eurosocialist. “Unë e pranova me dëshirë të plotë. Isha rritur me frymë socialiste dhe më pëlqente politika. Shokët shpesh më thërrisnin ‘komunist’ nga debatet e shumta që bëja.”

Swiss Digital Mobile Reklama

Karriera profesionale e Kreshnikut nisi në vitin 2006 në sektorin elektrik në Kuçovë. Privatizimi i OSSH-së dhe hyrja e kompanisë çeke ÇEZ solli lëvizje të shumta, por ai u ngjit shpejt në detyra drejtuese. Në fund të vitit 2013, iu ofrua posti i drejtorit të OSHEE-së në Berat. “E pranova me kënaqësi. Nuk e kisha kërkuar vetë, por ishte një vlerësim për profesionalizmin tim.” Rezultatet ishin të prekshme: humbjet e energjisë nga 32-33% ranë në 17%. “Ishte një periudhë suksesi, ku gjithë ekipi kontribuoi. E lashë zonën në gjendje shumë më të mirë nga ç’e gjeta.”

Angazhimi në forumin rinor dhe më pas në strukturat e PS-së e afroi gjithnjë e më shumë me politikën vendore. Por kandidimi për kryetar bashkie erdhi papritur. “Nuk më pyeti njeri. Një mbrëmje mora disa SMS dhe të nesërmen pashë në lajme se isha kandidati i përzgjedhur. As nuk e shijova dot lajmin siç doja.” Megjithatë, ai e pranoi sfidën. “Disa nuk do ta pranonin, por unë po. E dija që do sillte lodhje e stres, por edhe mundësi për të bërë diçka për qytetin tim.”

Ai rrëfen se sfida më e madhe ishte gjendja financiare. “E gjeta bashkinë me borxhe gati sa 100% e buxhetit. Duhej menaxhim i kujdesshëm. Sot mund të them se detyrimet janë zero.”Ndër arritjet kryesore rendit: furnizimin me ujë të pijshëm të njësisë Lumas; ndërtimin e urave që lidhin fshatrat Belsovë e Mendrak; përmirësimin e rrugëve që shkurtojnë distancat mes fshatrave dhe qytetit; përfundimin e parkut të qytetit.

Për të ardhmen, vizioni është i qartë: një pedonale dhe shesh modern për qytetarët, si dhe ndërtimin e Muzeut të Naftës dhe Aviacionit. “Ky muze nuk është vetëm memorie historike, por edhe mundësi për zhvillim turistik e ekonomik.”

Përballë angazhimeve të shumta, familja ka qenë gjithmonë mbështetja më e madhe. “Unë mundohem të mos i ngarkoj me problemet e punës. Gruas i them shpesh me shaka: ‘Gocat të duan më shumë ty’. Kështu ia heq vetes fajin që nuk jam aq prezent sa do doja.” Vajza e tij tashmë ka nisur shkollën dhe merret me piano. Ai mendon për të ardhmen e tyre me përkushtim. “Për shkollën apo politikën do t’i mbështes në çdo dëshirë. Eksperiencën time do ua tregoj, por vendimet do jenë të tyre.”

Për Kreshnikun, rinia ka rol kyç në politikë. “Kam qenë dhe jam me idenë që të rinjtë duhet të përfshihen. Nëse vetëm dy japin ide, ato do ndiqen, qofshin të mira apo jo. Por sa më shumë ide të ketë, aq më të drejta do jenë vendimet”.

Ai e sheh politikën si rrugë karriere, por edhe si shërbim ndaj qytetarëve. Nuk e fsheh se objektivat e tij të ardhshëm mund të shkojnë deri në Kuvend, por për momentin është i përkushtuar në menaxhimin e qytetit të tij. “Nuk kam ardhur në politikë për të përfituar personalisht. Çdo punë që kam bërë, e kam parë si një investim për karrierën, por edhe për qytetin. Dhe do vazhdoj ta bëj këtë.”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?