Kreu i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici në fshatin Kolesjan: Investojmë rrugën që ju lidh me Bjeshkët
Kryetari i bashkisë së Kukësit, Safet Gjici zhvilloi këtë të enjte një takim me banorë të fshatit Kolesjan, ku premtoi rrugën e fshatit që lidhet me bjeshkët. “Kam ardhur mes jush për bërë një kontratë me ju. Unë e kam firmos kontratën dhe kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë për të gjitha premtimet për fshatin tuaj dhe njësinë administrative Bicaj”, u shpreh Gjici.
Në vijim, Gjici tha se kur e kanë marrë bashkinë e morën me 5 milionë dollarë borxhe. “E kemi gjetur bashkinë me 10 vite të papaguar sigurimet shoqërore në ujësjellës dhe 10 vite pa paguar sigurimet shoqërore në bashki. Ne paguam të gjitha sigurimet shoqërore të prapambetura me vlerë 1,2 miliardë lekë. Kemi paguar 50 % të siguracioneve të prapambetura të atyre punonjësve që kanë punuar në bashki dhe vazhdojmë t’i paguajmë”, tha ai.
Duke folur për investimet, Gjici tha se me rëndësi është të bëhet rruga në Kolesjan që lidhet me bjeshkët. “Ne do ta bëjmë rrugën që t’u shërbejë banorëve por dhe t’i lidhë ato me bjeshkët. Ky investim kushton 3.5 milionë euro që është miratuar në parim nga qeveria dhe Fondi i Zhvillimit dhe do fillojmë menjëherë punën”, tha ai.
Nga ana tjetër, Gjici tha se kjo rrugë do të nxisë investitorët të investojnë në fushën e turizmit dhe agroturizmit, në bujtina, por dhe komplekse turistike.