Kreu i Bashkisë së Tiranës, Veliaj: 2021 do jetë viti i Ringritjes

Sapo akrepat e orës shënuan 00:00, fishekzjarret e organizuara nga Bashkia e Tiranës lajmëruan ndërrimin e viteve. Për shkak të pandemisë, Bashkia ishte kujdesur që atmosferën festive ta sjellë në të 11 njësitë, përmes spektaklit të fishekzjarreve. Festa nisi më herët me një koncerti festiv, ku performuan këngëtarët më të dashur, e që u transmetua përmes rrjeteve sociale dhe mediave. Pak para ndërrimit të viteve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përmes një video-mesazhi kujtoi sfidat dhe vështirësitë e vitit që lamë pas, por edhe uroi më të mirat për vitin që vjen.

“Një vit nga jeta jonë iku, për t’i lënë vendin një viti tjetër me të tjera sfida, por me shpresë dhe gëzime të reja. Ky ishte një vit i vështirë, një nga vitet më të vështirë të këtij shekulli, por të bashkuar treguam se shpirti i këtij qyteti triumfon mbi çdo vështirësi. Për të ruajtur njëri-tjetrin, shumë nga ne jemi të detyruar t’i festojmë këto festa të ndarë nga familjet, miqtë dhe të dashurit tanë, por me zemrën e mbushur plot dhe të bindur se po bëjmë më të mirën për vete dhe për ta, do trokasim gotat e shpirtit të mbushura me dashuri dhe do t’i urojmë njëri-tjetrit gëzuar këtë vit të ri”, u shpreh Veliaj.

Edhe pse për shkak të situatës këto festa nuk u festuan si gjithmonë, e mbledhur e gjithë familja, Veliaj shprehu bindjen se 2021 do vijë shumë më i mbarë. “Pasi kaluam një vit sprovash të forta, jam i sigurt se 2021 do vijë shumë i mbarë. Të gjithë ne sot jemi më të fortë dhe në zemrat tona dashuria për njëri-tjetrin është më e madhe se kurrë. Ky do jetë viti i RINGRITJES. Do jemi bashkë për t’i dhënë dorën njëri-tjetrit në çdo familje, spital, shkollë, shesh apo biznes që ka nevojë”, tha Veliaj, njofton zyra e shtypit në bashkinë Tiranë.

Kryebashkiaku këtë vit ia dedikon gjysheve, gjyshërve, që natën e ndërrimit të viteve nuk mundën të ishin mes nesh, mijëra mjekëve që luftuan e vijojnë të luftojnë për jetët e njerëzve, zjarrfikësve, punëtorëve dhe vullnetarëve.

“Ikën shumë gjyshër dhe gjyshe, të cilët në këto ditë do ishin duke bërë gati bakllavanë për të na kujtuar se është ajo kohe e vitit që duhet të mblidheshim në familje. Ikën, por na lanë kujtimet dhe amanetin që këtë jetë ta çojmë përpara se ia vlen të jetohet çdo sekondë e saj. Ia vlen teksa shohim diellin të shndrisë në këtë tokë të bekuar, teksa ndjejmë zemrat të rrahin për njëri-tjetrin, teksa shohim sytë plotë shpresë mbi maskat higjienike, teksa shohim fëmijët më shumë ëndrra të vrapojnë rrugëve të qytetit. Ky është qyteti i heronjve. I mijëra mjekëve që luftojnë përditë për jetët e njerëzve nga e gjithë Shqipëria. Ky është qyteti i mijëra policëve, zjarrfikëseve, punëtorëve dhe i vullnetarëve të rinj që e mbajnë në jetë Tiranën tonë”, u përfundoi ai, duke ftuar çdo shqiptar brenda dhe jashtë vendit, që të vijë dhe ta ndërtojë të ardhmen në Tiranë.

SHKARKO APP