Kreu i Fushë-Arrëzit në protestë, Curri: Shkrirja e bashkive prek 300 mijë qytetarë
Kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Hilë Curri iu bashkua protestës kundër reformës së re territoriale, duke shprehur kundërshtimin ndaj hartës së propozuar dhe mënyrës së hartimit të saj. Curri deklaroi se reforma prek 15 bashki dhe rreth 300 mijë banorë. Ai e cilësoi procesin si një reformë “klienteliste” dhe ngriti pikëpyetje mbi kriteret e përdorura për përcaktimin e bashkive që do të shkrihen.
“Jam një nga 15 kryetarët e bashkive që preken nga kjo reformë. Rreth 300 mijë banorë preken nga kjo hartë territoriale”, u shpreh Curri, duke argumentuar se ndarja e re nuk përputhet me rekomandimet e ekspertëve europianë. Kryebashkiaku i Fushë-Arrëzit kritikoi gjithashtu ndikimin që, sipas tij, reforma mund të ketë në identitetin dhe funksionimin e njësive vendore. Sipas Currit, ndryshimet rrezikojnë të largojnë shërbimet nga qytetarët dhe të dëmtojnë bashkitë me histori dhe identitet të veçantë.
“Një hartë e tillë nuk i përshtatet komuniteteve dhe nuk i afron shërbimet me qytetarët. Ajo rrezikon të shkatërrojë bashki që kanë histori, identitet dhe tradita të veçanta”, tha ai. Curri deklaroi se kundërshtimi do të vijojë edhe gjatë procesit parlamentar, duke paralajmëruar se protestuesit do të qëndrojnë në terren deri në marrjen e një vendimi. “Ne do të rezistojmë. Jemi këtu derisa deputetët në parlament të mos e votojnë këtë reformë”, u shpreh kryebashkiaku. Në protestë ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë Memaliaj, Albert Malaj, ndërsa protestuesve iu bashkua edhe deputeti demokrat i Lushnjës, Saimir Korreshi.

