Kreu i SHISH: Të izolohen kapot e krimit

Drejtori i Përgjithshëm i SHISH, Helidon Bendo është shprehur se arrestimi i personave të akuzuar për krim të organizuar është i pamjaftueshëm pa izolimin e tyre në burgje pasi element të tillë gjithnjë gjejnë mënyra për tu lidhur me grupet kriminale për të dhënë urdhra dhe për të vazhduar aktivitetin kriminal. Në konferencën e mbajtur në Tiranë lidhur me zbatimin e sistemit ”41 Bis” në burgje, kreu i SHISH ka evidentuar edhe faktin se deri tani nuk ka të dhëna për lidhje mes elementëve të krimit të organizuar dhe terrorizmit në Shqipëri. ”Lufta kundër krimit të organizuar nuk mjafton vetëm me goditjen dhe mbylljen brenda burgjeve tona të individëve të spikatur të botës së krimit sepse janë tepër të adaptueshëm, gjejnë mënyra të sofistikuara për të vazhduar aktivitetin kriminal edhe brenda ambienteve të burgut, mbajnë lidhjet me rrjetin e tyre duke dhënë porosi në funksion të aktivitetit të tyre kriminal”.

Nga ana tjetër, ai tha se:”Ne nuk kemi informacion se ekzistojnë lidhje mes terroristëve dhe krimit të organizuar në vendin tonë. Përvoja e vende të tjera tregon se nëse nuk adreson siç duhet problematikat, lidhje të tilla mund të lindin dhe ato mund të kthehen në ambiente apo inkubatorë ku të rriten radikalët e ardhshëm që më vonë do veprojnë si uqër të vetmuar terrorist, sepse është praktikë që ka ndodhur në vendet e tjera”. Kreu i SHISH ka theksuar se shërbimi sekret do të luajë rolin e tij në rritjen e sigurisë në burgje dhe për këtë qëllim janë organizuar një sërë takimesh me përfaqësuesit e Ministrisë së Drejtësisë.

Një nga projektet kryesore mes Ministrisë së Drejtësisë dhe antimafjes italiane, është regjimi i posaçëm ”41 bis”, sistem ky i konsideruar si mjaft efikas në Itali. ”Bashkëpunimi ynë tashmë me antimafian italiane është solid dhe i shtrirë në një sërë aspektesh që prekin krimin e organizuar vendas dhe atë transnacional, bashkëpunimin dypalësh në grupe të përbashkëta hetimi, shkëmbimin e ekspertizës por njëkohësisht edhe të dhënat, si dhe çështjet për administrimin, menaxhimin dhe përdorimin pasurive të sekuestruara e të konfiskuara. Tashmë një ndër prioritet kryesore të Qeverisë Shqiptare është lufta kundër krimit të organizuar me të gjitha instrumentet ligjorë dhe institucionale, duke përfshirë edhe ndalimin e kontakteve të subjekteve që vuajnë dënimin ose janë në proces hetimi. Pikërisht një nga sistemet të konsideruara me efikase në Itali, të cilën Shqipëria e ka huazuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit, është regjimi i posaçëm ”41 bis”, u shpreh Gjonaj.

Regjimi ”41-bis”, është hartuar nga ekspertët në respektim të të drejtave dhe lirive të garantuara në Kushtetutë si dhe përputhje me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut. Pikërisht për këto arsye, është parashikuar që regjimi ”41-bis” të rishikohet e rivlerësohet për secilin të dënuar gjatë zbatimit të tij, me qëllim garantimin e një balance të drejtë ndërmjet nevojës për të ndërprerë lidhjet e të dënuarve me organizatat kriminale, por edhe për të lejuar realizimin e qëllimit riedukues të dënimit dhe riintegrimin e të dënuarit në shoqëri.

SHKARKO APP