Kreu i shtetit: Nëse nuk ka ligj që ndalon anulimin e datës, si u kaluan kompetencat?
Në komentet që kreu i shtetit ka bërë për vendimin e projekt-opinionit të Komisionit të Venecias, jepen dhe sqarime për konkluzionet e këtij dokumenti.
Kreu i shtetit argumenton se paragrafët e dokumentit të ekspertëve të Venecias janë kontradiktore, pasi nga njëra ana thonë se nuk ka parashikim ligjor për anulimin e zgjedhjeve, ndërsa më pas shton se u tejkaluan komptetencat
Komenti i Presidentit për Venecian:
Ky paragraf kundërshton logjikën e shpjegimeve të mësipërme. Është pa kuptim të thuash se mungesa e parashikimit ligjor (pra në Kodin Zgjedhor, apo e një ligji me fuqi të përkohshme), të dërgon në konkluzionin se Presidenti tejkaloi kompetencat! Ky konstatim mund të konsiderohet i pranueshëm në një situatë normaliteti, por jo në kushtet e domosdoshmërisë për të ndërhyrë në situatë ekstreme të shkaktuar nga sjellja e papërgjegjshme e palëve politike, ku përfshihet si mazhoranca dhe opozita.
Ndërkohë që vetë Komisioni pranon se duhen shqyrtuar rrethanat dhe kushtet që kanë çuar në këtë vendimmarrje të Presidentit, pra të investohet në analizën thelbësore të çështjes duke pranuar indirekt mundësinë teorike të legjitimitetit të plotë të këtij akti, ai (Komisioni) dështon të analizojë tërësinë e fakteve dhe rrethanave.
Kjo qasje e pjesshme ndaj fakteve cenon si analizën ashtu edhe konkluzionet e Komisionit. Në kushtet e normalitetit politik, edhe pse në klimë të polarizuar politike, Presidenti vendosi dekretimin e zgjedhjeve që në datën 5 Nëntor 2018. Gjer në datën 8 qershor 2019, Presidenti nuk e gjeti të udhës të ndërhynte a prirori dhe në mënyrë arbitrare për ndryshimin e datës së zgjedhjeve, duke besuar se tek palët do të mbizotëronte arsyeja dhe interesi kombëtar.
Në analizën dhe konkluzionet e ekspertëve mungon plotësisht vlerësimi për rolin dhe përgjegjësinë e Kreut të Shtetit për të mbrojtur sigurinë publike dhe rendin kushtetues kur këto vihen nën kërcënim. Duke mirëkuptuar pamundësinë e ekspertëve për të vlerësuar objektivisht përmasën reale të këtij kërcënimi, gjithsesi do të kishte qenë e udhës që Komisioni t’i dedikonte një vlerësim të posaçëm teorik veprimtarisë dhe rolit të Kreut të Shtetit në raste krizash dhe kur mekanizmat e tjerë të kontrollit dhe balancës kushtetuese janë jashtë funksioni.
Komentet e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, për Komisionin e Venecias
KOHA JONË SONDAZH

