Kreu i sindikatës së mjekëve, Stroni: Qeveria ka pranuar të negociojë

Protesta e mjekëve javën e kaluar për kushte më të mira punë dhe rritje të pagës si dhe takimi me Ministren e Shëndetësisë u pasua dje më një tjetër takim. Mjeku infektolog, njëkohësisht edhe kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, Gentian Stroni thotë se gjatë dy takimeve të zhvilluara me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu është rënë dakord për t’u ngritur grupe pune për të arritur në një marrëveshje.

“Kemi gjetur një ambient të mirë dhe ne kemi paraqitur një draft marrëveshjeje në terma teknikë. Kemi vendosur që puna të vazhdojë për katër pikat që kemi paraqitur dhe për secilën prej tyre do të ngrihet një grup pune”, deklaroi Stroni. Kreu i Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor tha se pjesë e negociatave do të jetë edhe pika se sa do të jetë rritja e pagës për mjekët duke theksuar se pavarësisht se qeveria ka paralajmëruar një rritje me 40% kjo është lënë ende e hapur për diskutim.

“Ajo që është pozitive është fakti se këto katër pika janë parë nga qeveria që janë të drejta dhe për diskutim. Pavarësisht faktit se kryeministri ka diskutuar faktin e 40%, ne do të jemi të kënaqur të rritet sa më shumë të jetë e mundur, por do të jemi me këmbë në tokë. Nëse kjo do të jetë 41% apo 39% ne do të sjellim argumentet tona”, tha ai për ”Euronews”.

SHKARKO APP