Kreu i SPAK, Altin Dumani: Po hetojmë edhe brenda SPAK-ut! Jemi fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar

Kreu i SPAK-ut, Altin Dumani flet më shumë për temat më të forta, si ato politike dhe të kronikës së zezë. Ai hedh poshtë të gjitha akuzat se hetimet nga SPAK kanë një axhendë politike. ”Pavarësisht akuzave, kemi dhënë prova se nuk kemi axhendë politike, nuk mbajmë grafikë se ndaj kujt ushtrojmë ndjekje penale. Për ne është e rëndësishme prova. Në momentin që gjatë hetimit krijohen prova nuk ka rëndësi emri, por prova. Këtë ka bërë SPAK e do të vijojë ta bëjë”,-theksoi Dumani tani në një intervistë për RTSh me gazetarin Alban Dudushi.

Dumani pohon se ka çështje në hetim brenda Strukturës së Posaçme lidhur me rrjedhjen e sekretit hetimor, dhe vuri në dukje se kushdo që bën të mundur rrjedhjen e informacionit apo kryen një vepër tjetër penale, do vendoset para përgjegjësisë penale. ”Sa i takon rrjedhjes së sekretit dhe gazetarët e kronikës janë dëshmitarë që është minimizuar shumë falë edhe masave të marra si institucion. Kemi hapur hetime, aty brenda nesh për njëri-tjetrin për prokurorë, për hetues, kushdo që ka qenë në kontakt me informacionin i cili ka rrjedhur.

Ju garantoj që nëse ka prokurorë të prokurorisë së Posaçme, hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, i cili bën të mundur rrjedhjen e informacionit apo kryen një vepër tjetër penale, do vendoset para përgjegjësisë penale. Kjo nuk diskutohet. Raporti nuk është përfundimtar, ka çështje që janë në hetim në lidhje me sekretin hetimor edhe nga brenda nesh”, tha Dumani.

Për më tepër, kreu i SPAK-ut nënvizoi edhe se përballja me korrupsionin dhe krimin e organizuar ka bërë që të sekuestrohen deri tani 150 milionë euro pasuri të vëna nëpërmjet korrupsionit dhe krimit. ”Tre janë përparësitë e SPAK-ut: lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit. Momentalisht jemi fokusuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. SPAK deri tani ka dëshmuar se është në gjendje të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti, pavarësisht pozitës së tij. 

Ne këtë po e bëjmë me prova dita- ditës. Kemi ushtruar hetime në disa nivele të larta, të mesëm, si dhe funksionarë të ndryshëm në nivel lokal dhe qendror. Lidhur me krimin e organizuar, që më parë as mendoheshin se do hetoheshin, kemi një bilanc ku janë sekuestruar 150 milionë euro asete, një shumë kjo e madhe. SPAK-u ka goditur thellë kulturën e pa ndëshkueshmërisë”, tha Dumani.

“SPAK nuk është Altin Dumani, por është përpjekja e përbashkët e të gjithë prokurorëve dhe stafit.  Sot, SPAK është plotësisht operacional, dhe pavarësisht bilancit pozitiv, ka ende vend për përmirësim”, u shpreh Dumani.

“SPAK ka një bashkëpunim shumë të mirë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me misionet e OPDAT, ICITAP, DEA-n dhe me FBI-në. Ata kanë kontribuar në rritjen e institucionit në bërjen funksionale të institucionit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes këtyre misionevë që unë thashë, kanë qenë prezent që në momentin që është dizajnuar SPAK-u në ligj. Më tej kanë qenë prezent në përzgjedhjen e prokurorëve të Prokurorisë Posaçme, në përzgjedhjen e hetuesve të Byrosë Kombëtare të Hetimit, në përzgjedhjen e drejtuesve të Prokurorisë së Posaçme.

Na kanë mbështetur me trajnime, ne dhe hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Na kanë mbështetur me mjete teknike, me infrastrukturë, me qëllim që të krijohen kushtet për ushtrimin e funksioneve tona. Kemi prezencë të FBI-së në zyrat tona, na është premtuar se edhe DEA do hapë në Tiranë. Ne kemi hetime të përbashkëta me SHBA-në, me FBI-në dhe me DEA-n. Hetime të përbashkëta ku cenohen interesat e dy shteteve tona. Dua t’i falënderoj SHBA-në, përfaqësuesit e OPDAT, ICITAP, DEA-n dhe FBI për mundësinë që na kanë dhënë që të kemi kontakte me agjenci të ndryshme të zbatimit të ligjit në Europë por sidomos në Amerikën Latine”, tha Dumani

SHKARKO APP