Kreu i SPAK, Arben Kraja: Kemi nisur hetim për inceneratorët

Struktura e Posaçme e Anti-Korrupsionit (SPAK) ka konfirmuar se ka regjistruar procedim penal për çështjen e inceneratorëve. Kreu i SPAK, Arben Kraja ka deklaruar një fakt të tillë për gazetarin, Eni Ferhati duke thënë se nuk mund të bëhen publike informacione të tjera.

“Janë regjistruar procedimet penale për të gjitha kallëzimet. Do hetohet për të sqaruar çdo pretendim. Veprimet konkrete janë të prokurorëve dhe nuk mund të bëhen objekt publikimi”, ka bërë të ditur Kraja për Euronews Albania.

Kallëzim në SPAK është bërë nga Partia Demokratike ka depozituar tri kallëzime për secilin incenerator, Tiranës, Elbasanit dhe Fierit. Prokurori Dritan Prençi që ka bërë regjistrimin e procedimit dhe ka kërkuar informacion në disa prej institucioneve shtetërore, ndër to dhe pranë Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Nga viti 2015, 72 milionë euro janë paguar nga buxheti i shtetit për ndërtimin dhe funksionimin e tre inceneratorëve, dy prej të cilëve ende nuk janë ndërtuar, ndërsa tjetri punon me kapacitet të përgjysmuar (inceneratori i Elbasanit). Ka dyshimet se të tre inceneratorët i janë dhënë të njëjtit grup njerëzish, duke krijuar praktikisht monopol. Përveç kësaj ka dyshime dhe për aferë korruptive, pasi qeveria shqiptare nuk kishte asnjë plan për ngritje incineratorësh. Ka mjaftuar një letër nga një kompani pa kapital dhe pa përvojë, dhe qeveria vendosi brenda pak javësh t’i japë koncesionin e inceneratorit të Elbasanit.

SHKARKO APP