Krime lufte në Kukës e Has? Balla: Shqiptarët s’e kanë bërë kurrë një gjë të tillë, do të hetojmë raportin e Dick Marty
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka dorëzuar sot në Kuvend kërkesën për ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Hetimor, që do të hetojë raportin e Dick Marty.
Nga Kryesia e Kuvendit, numri dy i PS tha se është e pavërtetë ajo që thuhet në këtë raport se në disa qytete të Shqipërisë, si Kukës, Has apo Mat, ka pasur baza të UÇK, në të cilat janë kryer krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.
“Përfaqësuesi i mazhorancës së asaj kohe ka mbajtur qëndrimin për të votuar pro raportit të Dick Marty, ndërkohë që opozita socialiste e asaj kohe ka votuar kundër. Në atë raport referohen edhe ngjarje apo vepra penale të kenë ndodhur në Shqipëri. Pas atij momenti në Shqipëri janë bërë verifikimet. Të gjitha këto është dashur dhe duhet të përfshihen në një raport. Është në dinjitetin e Shqipërisë sonë, që të gjitha këto gjetje dhe çdo dëshmi e nevojshme, që hedh poshtë dyshime, sepse prova nuk ka, se në Shqipëri, në Kukës apo në Has, apo në Mat, të ketë pasur baza të UCK, në të cilat të jenë kryer edhe krime kundër njerëzimit apo krime lufte. Shqipëria është një shtet ligjor.
Kuvendi, në fund të këtij procesi, do të shprehet dhe më pas i takon KE që në vijim të atij raporti të rivlerësojë vlerësimet e veta që lidhen me Shqipërinë. Mendojmë që do të gjejmë instrumentin e duhur që për sa lidhen me Shqipërinë këto çështje të qartësohen dhe askush të mos marrë përsipër të hartojë raporte për krime që mund të kenë ndodhur në Shqipëri dhe që ne shqiptarët biem dakord që janë më shumë arsyetime potetike për nevoja të caktuara të politikës. Shqipëria ka qenë vend pritës i mbi 1 milion shqiptarëve të shpërngulur nga gjenocidi serb dhe në vendin tonë nuk kanë ndodhur krime lufte, siç pretendohet në atë raport”, tha Balla.
Pyetje: A po e ngrini këtë komision pikërisht për Bashën dhe a do të jetë i ftuar?
Balla: Gjëja e fundit që mund të më shkojë mua apo cdo kolegu deputet është që ky komision, që ka qenë detyrim i Shqipërisë, dhe Basha e Berisha duhet të kërkojnë njëherë falje që e kanë votuar atë raport. Basha, të paktën për këtë cështje, duhet të ndalet nga Berisha, nëse ka këllqe ta bëjë këtë. Vota pro këtij raporti është një tradhti kombëtare. Shqiptarët kurrë nuk kanë kryer krime lufte, sepse kanë qenë në mbrojtje. PD duhet të kërkojë ndjesë për luftën e UCK. Basha personalisht ka plot elementë, të cilët nuk i kthen ende përgjigje. Nuk di të ketë pasur covid në vitet 2003, 2004, 2005 në Kosovë dhe nuk di cila ka qenë arsyeja që në procesin e marrjes në pyetje të luftëtarëve të UCK, Basha mbante maskë.
Shovinizmi serb ka kryer krime lufte në Kosovë, ka vrarë e përdhunuar njerëz të pafajshëm, e shpërngulur mbi 1 milion shqiptarë. Mos pretendoni se ka ndonjë mini qasje nga ana jonë për të politizuar çështjen. I them publikisht Sali Berishës se turpi i mbrëmshëm, duke vazhduar të sulmojë Hashim Thacin, teksa ky po përballet me akuza të paqena, ku iu shtohet dhe balta e turpi i gojës së Sali Berishës, mendoj se të gjithë dinë ta dallojnë mirë se kush është tradhtari në këtë mes.