Krimet seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri, Azizaj: Më shumë sesa raportohet
Rastet e abuzimeve dhe ngacmimeve seksuale ndaj të rinjve dhe të miturve kanë qenë vazhdimisht pjesë e kronikave të lajmeve kohët e fundit. Sipas Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, në periudhën 1 janar 2019-1 qershor 2020, 66 fëmijë kanë rënë pre e ngacmimit dhe dhunës seksuale nga persona të afërt apo janë dhunuar fizikisht nga familjarë të tyre.
Altin Hazizaj, nga Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri, tha në “Dita Jonë” se nuk duhet të bëhemi merak nga numri. “Sepse në fakt, po të shikojmë të dhënat e lidhura me sa fëmijë janë viktimë e abuzimit, kuptojmë që numri është shumë herë më i lartë. Ajo që ne shikojmë është vetëm maja e ajsbergut të raportimeve, gjë që në fakt duhet të na bëjë të lumtur. Pavarësisht se tingëllon si mesazh i gabuar, e vërteta është që raportimet janë mesazhi më i mirë që ne u japim prindërve, mësuesve, fëmijëve, adoleshentëve”.
Për Hazizajn, e rëndësishme është ajo që ndodh me fëmijën pasi raporton. “Në shumicën e rasteve ka një mungesë të theksuar të shërbimeve për fëmijët dhe adoleshentët. Ka një problem serioz për mënyrën sesi bëhet raportimi në media. Ka një qasje pak sa perverse, aspak profesionale të të gjithë rasteve. Nuk ka gjë të keqe të raportohen rastet, sepse ai duhet të nxisë pikërisht raportimin. Por ka një mënyrë sesi bëhet ky raportim. Është tjetër gjë të thuash që dikush është abuzuar, tjetër gjë të hysh në detaje sesi është abuzuar. Ka një qasje pak perverse”, thotë Aizaj. “Gazetarët nuk kanë intervistuar fëmijë, por shkojnë e intervistojnë prindërit. Është absurde të thuash që i fshehëm fytyrën personit”.
Azizaj thotë se prindërit duhet të komunikojnë sa më shpejt me fëmijët e tyre, për t’i shpjeguar edhe funksionin e organeve gjenitale dhe sidomos për t’i bërë të kuptojnë që askush nuk mund t’i prekë. Gjithashtu, ai i bën thirrje prindërve që duhet të kenë dijeni dhe kontroll mbi aktivitetin e fëmijëve të tyre online, për të shmangur kontaktet me persona të panjohur dhe abuzuesit.
Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri ka bërë gati për konsultim projekt-ligjin “Për Regjistrin Kombëtar për të Dënuarit për Krime Seksuale”. Sipas CRCA, ai “ka për qëllim të vëzhgojë dhe kontrollojë lëvizjet e personave të dënuar apo të vetë-regjistruar si pedofilë, për të parandaluar krimet dhe dhunën seksuale ndaj fëmijëve në Shqipëri. Projekt-ligji bazohet në eksperiencën legjislative dhe praktikat më të mira të disa vendeve, si: Franca, Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Irlanda, SHBA dhe Maqedonia e Veriut”.