Krimet zgjedhore në Shijak, të akuzuarit në Apel për ndryshimin e masës së sigurisë

Foto ilustruese nga zgjedhjet ne Shqiperi

Të akuzuarit e dosjes “339” për krime zgjedhore në Shijak dalin sot para Gjykatës së Apelit në Durrës ku kërkojnë ndryshimin e masës së sigurisë të vendosur më herët nga shkalla e parë.

Para trupës gjyqësore do ta dalin 21 ish-komisionerë, ndërsa 1 gjykohet në mungesë. Në burg vijojnë të jenë 8 prej tyre.

“Makinat kanë mbërritur para gjykatës. Avokatët e çështjes kanë shprehur rezervat e tyre qoftë për njoftimin që nuk është bërë në kohën e  duhur dhe mënyrën si ka funksionuar mekanizmi i mbajtjes së 8 personave në burg dhe vendosja e masës detyrim paraqitje apo arrest shtëpi për të tjerët”raportoi nga Durrësi gazetari i Ora News, Mark Bunga.

Po kështu ata rezerva edhe për relatorin e çështjes që me datë 10 shtator kalon në vetting dhe sipas tyre kjo mund të ndikojë në vendimin e tij.

SPAK ka provuar se komisionerët e qendrës së votimit në fshatin Shetël të Bashkisë Shijak kanë lejuar të votohet për 22 persona që nuk ndodheshin në Shqipëri.

Në të njëjtën mënyrë, komisionet e qendrës së votimit të pozicionuar në kopshtin e fshatit Rubjek kanë lejuar të votohej për 7 persona.

Në përgjegjësi penale është marrë edhe një qytetar, që akuzohet të ketë votuar për persona të tjerë.

Në përgjimet e papublikuara të dosjes 339, në fraksionin për komisionerët zgjedhorë të akuzuar nga SPAK,  protagonist është Altin Avdyli, personazhi i njohur me emrin “Niçja”.

Në një bisedë të datës 25 qershor, Niçja flet me një person me emrin Shpëtim, që sipas prokurorisë ditën e zgjedhjeve ka votuar për babanë e tij në Itali. /Ora News

SHKARKO APP