Kriminaliteti gjatë 2019, sekuestro preventive për 40.4 mln euro pasuri
Një numër prej 204 zyrtarësh janë hetuar nga Prokuroria e Përgjithshme gjatë vitit të kaluar në kuadër të ligjit për dekriminalizimin. 15 prej tyre kanë rezultuar të dënuar në të kaluarën, 163 kanë dalë të pastër dhe 41 të tjerë janë ende nën hetim. Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme të dorëzuar në Kuvend thuhet se vitin e kaluar u sekuestruan 40.4 milionë euro pasuri kriminale si dhe u përgjuan 5574 persona.
Sektori i dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme po heton 41 zyrtarë të dyshuar për fshehje ose mosdeklarim të dënimeve në të kaluarën.
Në raportin mbi gjendjen e kriminalitetit në vitin 2019, i cili ka qenë problematik sa Iipërket kryetarëve të Bashkive që rezultuan të dënuar, thuhet se në sektorin e dekriminalizimit për vitin 2019 janë regjistruar 204 kërkesa për verifikim, nga të cilat janë përfunduar 163 dosje me 15 zyrtarë që kanë rezultuar të dënuar dhe 148 të tjerë që nuk preken nga ligji i dekriminalizimit.
Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se nga hetimet e kryera kanë mbetur në proçes verifikimi 41 subjekte të cilat janë mbartuar në vitin 2020 me qëllim vazhdimin e hetimeve.
Rritje ka shënuar edhe numri i personave të përgjuar me vendim të gjykatës gjatë hetimeve të kryera nga prokuroria.
Në raport thuhet se gjatë vitit të kaluar është mundësuar interceptimi për 5574 persona të dyshuar si të përfshirë në vepra penale gjatë ekzekutimit të 2714 vendimeve për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake të lidhura me 717 procedime penale.
Nga këto, 141 procedime penale kanë qenë në kuadër të hetimeve të prokurorisë për krime të rënda.
Ajo çka bie në sy është edhe një rritje e volumit të bashkëpunimit me autoritetet e huaja, ku sipas prokurorisë gjatë vitit 2019 janë ekstraduar për jashtë vendit 157 persona, janë ekstraduar nga jashtë në vendin tonë 180 persona si dhe janë ekzekutuar më shumë se 1300 letërporosi për kryerje veprimesh hetimore.
Prokuroria thekson se gjatë vitit 2019 është proceduar në kryerjen e sekuestrove preventive të përllogaritura në shumën totale 40,4 milionë euro, që sipas llojeve të pasurive ndahen në sipërfaqe apartamente banimi, njesi tregtare, garazhe, tokë truall, tok arë, etj) dhe pasuri e luajtshme si autovetura të llojeve e markave të ndryshme, vlerave monetare në valutë dhe në lekë dhe llogari bankare.
Në raport evidentohet se gjatë vitit 2019 ka qenë problematike vepra penale e “Drejtimit të automjeteve në mënyrë të parregullt” e cila është kryer më së shumti nga të miturit 14 deri 18 vjeç, duke zënë 33 % të procedimeve me të pandehur të mitur.
Po kështu, sipas prokurorisë, vjedhja e pasurisë mbetet problematike edhe në vitin 2019, pasi për të janë regjistruar 26 % e procedimeve.