Krissy Cela: Shqiptarja që emigroi me gomone në Britani dhe krijoi një perandori fitnesi prej 70 milionë dollarësh

Nga Jonida Halili-

Krissy Cela është një histori frymëzuese suksesi që fillon me një vajzë shqiptare, e cila emigroi në Britani me familjen e saj kur ishte vetëm 5 vjeç. Pavarësisht vështirësive të integrimit dhe sfidave të kulturave të ndryshme, ajo arriti të ndërtojë një perandori fitnesi me dy biznese të fuqishme, EvolveYou dhe Oner Active, që sot kapin një xhiro prej dhjetëra milionë dollarësh.

Nga një fëmijëri e vështirë te pasioni për fitnesin

E rritur mes traditave shqiptare dhe jetës në Britani, Krissy shpesh ndjente se ishte ndryshe nga bashkëmoshatarët e saj. Fëmijëria nuk ishte e lehtë dhe ajo u përball me paragjykime dhe bullizëm. Për ironi të fatit, edhe pse sot është një nga emrat më të njohur të industrisë së fitnesit, ajo e urrente edukatën fizike në shkollë dhe mundohej ta shmangte me çdo kusht.
Gjithçka ndryshoi kur në moshën 17-vjeçare, pas një ndarjeje që e la të lënduar emocionalisht, ajo vendosi të hynte në palestër. Në fillim nisi vetëm me kardio, por shpejt u tërhoq nga ushtrimet me pesha. Në atë kohë, nuk kishte shumë gra që praktikonin stërvitjen e forcës, dhe e vetmja figurë e njohur ishin bodybuilder-at profesioniste, të cilat nuk ishin aq te prekshme.
Por ndërsa përmirësoi formën e saj fizike, Cela kuptoi se fitnesi nuk ishte vetëm për estetikën. Ai ndikoi jashtëzakonisht në shëndetin e saj mendor dhe vetëbesimin. “Palestra u bë streha ime, vendi ku ndihesha mirë me veten time,” thotë ajo.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Krissy Cela (@krissycela)

Nga një studente drejtësie te një sipërmarrëse e suksesshme

Ndërkohë që studionte për drejtësi dhe punonte si kamariere, Krissy nisi të postonte progresin e saj në Instagram. Fillimisht e bënte për veten, por shumë shpejt ndjekësit nisën t’i kërkonin këshilla për ushtrime dhe dietën.

Kjo e shtyu të certifikohej si trajnere personale dhe së bashku me partnerin e saj, Jack Bullimore, në vitin 2017 krijuan planet e trajnimit në PDF. Suksesi ishte i menjëhershëm: brenda një ore fituan 13,000 dollarë dhe brenda 22 muajve, mbi 1 milion paund.

Por Krissy e kuptoi shpejt se PDF-të ishin një limit dhe vendosi të krijonte një aplikacion fitnesi. Në janar 2019, ajo lançoi Tone & Sculpt, i cili më vonë u riemërtua si EvolveYou, një platformë për t’i ndihmuar gratë të ndihen të fuqizuara përmes ushtrimeve të forcës. Në vitin 2022/23, EvolveYou realizoi mbi 11.2 milionë dollarë të ardhura.

Oner Active: Nga një ëndërr në një markë fitnesi globale

Duke parë suksesin e EvolveYou, Krissy vendosi të zgjerojë vizionin e saj dhe në vitin 2020 themeloi markën e veshjeve sportive Oner Active, të krijuar nga gra për gra. Ajo donte të sillte veshje që kombinonin stilin, funksionalitetin dhe rehati për gratë që ushtrojnë me pesha.

E veçanta e Oner Active është se kompania u krijua pa asnjë investim të jashtëm. Krissy përdori kursimet e saj dhe bashkëpunoi me vëllezërit David dhe Lukas Kurzmann për të ndërtuar një markë që sot ka një rritje vjetore gati 100%. Në vitin 2023, Oner Active realizoi pothuajse 60 milionë dollarë të ardhura.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Krissy Cela (@krissycela)


Sipas saj, suksesi i Oner Active qëndron në dy faktorë kryesorë:

Përfshirja dhe qasja gjithëpërfshirëse – Veshjet janë të dizajnuara për çdo trup, duke përfshirë modele të ndryshme dhe çmime të përballueshme.
Ndërtimi i një komuniteti të fortë – Përmes transparencës, pasqyrimit të prapaskenave dhe angazhimit të vazhdueshëm me klientët, Oner Active ka krijuar një bazë të madhe fansash besnikë.

Misioni për të fuqizuar gratë përmes fitnesit

Përveç bizneseve të saj të suksesshme, Krissy ka nisur Project Power, një iniciativë për të ndihmuar vajzat e reja që nuk kanë mundësi të pajisen me veshje sportive. Ajo ka dhuruar mbi 355,000 dollarë produkte për rreth 3,000 vajza në shkolla të ndryshme, për t’i ndihmuar të ndihen më të sigurta gjatë aktiviteteve fizike.

“Njerëzit më kanë nënvlerësuar, por unë gjithmonë kam besuar tek vetja”

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Krissy Cela (@krissycela)

Si një sipërmarrëse e re dhe një grua në një industri të dominuar nga meshkujt, Krissy Cela ka përjetuar paragjykime dhe nënvlerësime. Megjithatë, ajo nuk është ndalur kurrë. “Në fillim ndihesha e ofenduar kur më shihnin si një vajzë të bukur që s’mund të kishte sukses në biznes. Por tani nuk më intereson. Nëse të tjerët nuk besojnë tek unë, unë besoj tek vetja,” shprehet ajo.
Sot, ajo ndan jetën mes Londrës dhe Los Anxhelosit, duke vazhduar të frymëzojë gra në mbarë botën për të marrë kontrollin e trupit dhe jetës së tyre.
Krissy Cela është dëshmia e gjallë se, me punë të palodhur dhe besim në vetvete, gjithçka është e mundur.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by Krissy Cela (@krissycela)

SHKARKO APP