Kriteret e reja do ta ndryshojnë vendin! Në Shqipëri nevojiten më shumë njerëz të “çmendur”
Nga: Meri Lika
Që kur jemi shumë të vegjël, na mësohet se duhet të sillemi në mënyra të caktuara, në përputhje me disa vlera dhe zakone shoqërore, dhe shumë normalisht shmanget dhënia e shpjegimeve të nevojshme në lidhje me arsyen e kuadrateve të tilla. Nuk ka zgjidhje tjetër veçse të dëgjosh dhe të bindesh.
Në të njëjtën mënyrë, ne jemi edukuar që të shohim ata të cilët guxojnë të dalin nga këto kallëpe modelesh, si njerëz të përçmuar, të cilët janë quajtur si të çmendur dhe të çmendura, vandalë dhe vandale, duke krijuar kështu një stigmë rreth konceptit.
Edhe pse është kështu, historia gjithmonë përfundon duke kujtuar dhe nderuar shumë prej atyre njerëzve të “çmendur” që në kohën e tyre patën kurajon të guxonin të vinin në dyshim status quo-në dhe të luftonin për atë që ata besonin se ishte e saktë.
Në Shqipëri nevojiten më shumë njerëz të “çmendur”
Galileo Galilei, Mahatma Gandhi, Rosa Parks, Mandela, Martin Luther Kingapo dhe shumë të tjerë, janë shembuj të këtyre të “çmendurve” që unë i përmenda më lart, të cilët, madje duke pasur gjithçka kundër, dolën për të mbrojtur idealet e tyre duke iu dalë përballë të fuqishmëve të kohërave të tyre përkatëse dhe duke luftuar për të krijuar një botë më të mirë dhe më përfshirëse.
Aktualisht është e vështirë të imagjinohet se cila do të ishte jeta jonë e përditshme pa paraqitjen kryesore të këtyre personazheve ose çfarë do të kishte ndodhur nëse këta rebelë do të kishin vendosur të bënin indiferentin, ose t’iu shiteshin pushteteve siç bënin ose vazhdojnë të bëjnë shumë të tjerë tani. Koha ishte ajo që tregoi se këta rebelë të çmendur kishin të drejtë.
Rastet e mëparshme janë vetëm një shembull i vogël i cili tregon se, edhe kur vetëm një përqindje e vogël e popullsisë guxon të sfidojë realitetin, kjo mund të krijojë ndryshime të mëdha në rrjedhën e historisë së një vendi ose të vetë njerëzimit.
Jam dakord që, personazhet e përmendur më sipër, kanë jetuar në shoqëri me demokraci zero ose, në rastet më të mira, me demokraci minimale. Sot, sfidimi i pushtetit nuk është një shënjestër e lehtë, duke qenë se elitat mundohen t’iu përmbahen kornizave dhe kur qeveritë bëhen më të sofistikuara në përqendrimin e pushtetit për veten e tyre. Gjithësecili mund t’i drejtojë vetes pyetjen, çfarë duhet të bëj nëse dua të bëhem një i çmendur që ndryshon historinë? Sipas mendimit tim, disa gjëra.
Së pari, ne duhet të formohemi shpirtërisht, të sinkronizojmë zemrën dhe logjikën për të formuar mendimin kritik për faktet dhe realitetit që na rrethon.
Së dyti, duhet të dalim nga zona jonë e rehatisë për të njohur realitete të tjera dhe të shkojmë përtej flluskës në të cilën shpesh mbyllemi. Unë e them këtë mbi të gjitha për të shmangur rënien në intelektualizmin tipik që nuk ka asnjë praktikë dhe që mendon se kompleksiteti i jetës njerëzore mund të kompresohet në të dhëna dhe grafikë.
Në fund, është e nevojshme të ushtrohet kontroll shoqëror; nuk duhet të kemi frikë të kërkojmë llogari nga kushdo, në çdo kohë ose kudo.
Në një demokraci të vërtetë, secili individ duhet të jetë në gjendje të krijojë kriteret e tij bazuar në ide, mendime dhe realitetet e ndryshme që e rrethojnë, të cilat e lejojnë atë të marrë vendime me autonomi.
Ky presion i ri për ne si mbajtës të pushtetit sovran duhet të ushtrohet mbi të gjithçka në një mënyrë të pakëndshme për pushtetarët, madje edhe atëherë kur mund të supozohet se 97% e popullsisë mbështet qeverinë në pushtet.
Në fund të ditës, do të jenë ata që nuk përputhen me pushtetin ata të cilët do të jenë shkaku për të gjetur të vërtetat, do të jenë ata që do të guxojnë të vënë në dyshim gjithçka ata që do të krijojnë ndryshime dhe do të jenë të “çmendurit” ata që do të shpëtojnë rrjedhën e Shqipërisë, por me kriteret e tyre të mendimit të lirë dhe të lirisë si individ. /Dosja.al/