Kriza e energjisë, importet arrijnë 300 milionë euro, teksa çmimet në bursë mbeten të larta

Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) i është dashur të shpenzojë 300 milionë euro deri në fund të gushtit për procedurat e blerjes së energjisë që synojnë furnizimin me energji të vendit.

Të dhënat e përpunuara nga Monitor sipas procedurave të blerjeve të publikuara nga KESH tregojnë se vetëm në gusht u desh që të bliheshin 57 milionë euro që i bashkohen gati 240 milionë eurove të shpenzuara nga janari në korrik.

Çmimet në bursa kanë vijuar të rriten duke arritur niveleve rekord çka ka detyruar KESH që të përqendrojë furnizimin tek prodhimi i brendshëm në kaskadën e Drinit.

KESH më herët anuloi një procedurë që synonte blerjen e energjisë për një javë në fund të gushtit ndërkohë që pikërisht rritja e madhe e çmimeve bëri që kjo procedurë të anulohet. Në një tentativë të dytë për të gjetur mundësi në treg KESH rishpalli një tjetër procedurë për blerjen e energjisë e cila sërish u anulua pasi koicidoi pikërisht me ditët kur çmimet në Bursën e Hungarisë arritën rekord.

Për datën 26 gusht në këtë bursë çmimi ishte 708.9 euro/MWh në bazë dhe në 750 euro/MWh në pik, niveli më i lartë që nga nisja e krizës vitin e shkuar. Në fasha orare rekordin e mban data 25 gusht ku për orën 20:00 një megavat/orë energji u tregtua rreth 850 euro/MWh.

Në fundjavë ashtu sikurse pritej çmimet pësuan një rënie të lehtë por sërish duke mbetur në nivele të larta në raport me mesataren që ka shoqëruar të shtunat dhe të dielat tradicionalisht. Kjo rënie lidhet kryesisht me rënien e konsumit për shkak të uljes së aktivitetit ekonomik por niveli prej më shumë se 600 euro/MWh në fundjava është atipik.

Prej mesit të gushtit çmimet kanë pasur vazhdimisht një tendencë rritëse duke tejkaluar nivelet që njiheshin më herët si kulminante në çmime dhe që ishin data 25 korrik që erdhi si rezultat i deklaratë për kufizimin e gazit rus në Europë dhe më herët në mars që ishte një përshkallëzim i efekteve pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë. Këto çmime mbeten gjithsesi më të ulëta sesa mesatarja e 10 ditëshit të fundit të gushtit që luhatet mes 600-750 euro/MWh.

Çmimet e energjisë në bursa janë një kambanë e fortë alarmi në situatën e vështirë që pritet të pasojë në javët në vijim. Shqipëria e cila gjendet në varësi të plotë të “hidros” do të mund të lehtësohej vetëm nga shirat e vjeshtës ndërkohë që kaskada e Drinit mbetet dukshëm nën mesataren historike sa i takon nivelit. Kjo e fundit po zbrazet me shpejtësi për shkak të përqendrimit të furnizimin nga prodhimi në vend për t’i shpëtuar çmimeve të larta në Bursa.

Kreu i qeverisë deklaroi pak javë më parë se ndoshta importet e energjisë do të na kushtojnë më shumë se 500 milionë euro deri në fund të vitit por nëse çmimet mbajnë ritmin aktual kjo shifër mund të tejkalohet lehtësisht. Edhe pse në gjendje emergjence qeveria ende nuk ka dalë me një plan publik që synon përballimin e situatës në vijim që është dukshëm më e rënduar sesa një vit më parë kur nisi alarmi.Monitor

SHKARKO APP