Negociata për largimin e 580 punonjësve. Kryebashkiaku Llatja, takim me drejtuesit e “Kurum”: Pagë e plotë për këdo që do të vazhdojë punën
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, ka nisur negociatat me drejtuesit e kompanisë Kurum International sh.a, për gjetjen e një zgjidhjeje për ata punonjës që mbeten të papunë, si pasojë e ndërprerjes së përkohshme të punës.
Në takim u diskutua për gjetjen e zgjidhjeve për problemin social që krijon mbyllja e përkohshme e aktivitetit prodhues të kësaj kompanie që nga muaji gusht 2024.
Pas mbledhjes me drejtuesit e kompanisë, Llatja tha se u arritën disa marrëveshje për punonjësit.
“Në bashkëpunim me sindikatën, kemi arritur që asnjë punëtor të mos e humbasë vendin e punës”. Kompania do të angazhohet maksimalisht për të vazhduar procesin e petëzimit, ndërsa çeliku do të jetë në punë. Ata që do të qëndrojnë në shtëpi gjatë kësaj kohe, do të paguhen sipas kontratave kolektive, me një pagë minimale prej 35 mijë lekësh bruto. Garancia është arritur edhe për dietat ushqimore“, u shpreh Llatja.
“Asnjë punonjës i ‘Kurum’ nuk do të mbetet pa punë apo pa pagesë. Të gjithë punëtorët do të paguhen 100 përqind, përfshirë edhe dietat ushqimore. Ata që do të qëndrojnë në shtëpi, do të paguhen deri në rifillimin e prodhimit,” përfundoi Llatja.
Si pasojë e mbylljes së aktivitetit të dy uzinave të pakten 580 punëtorë mbeten të papunë.