Kryebashkiaku Llatja: Unaza në Kryezjarr, më shumë akses dhe zhvillim për zonën

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Evis Kushi, inspektuan nga afër punimet e unazës së fshatit Kryezjarr, në Njësinë Administrative Shirgjan, një investim i rëndësishëm që tashmë po i jep zonës standarde infrastrukturore si në qytet.

Me një gjatësi prej 1.2 kilometrash, kjo unazë u shërben drejtpërdrejt rreth 600 banorëve dhe mbi 50 hektarëve tokë bujqësore, kryesisht në zonat kodrinore të fshatit. Investimi ndikon ndjeshëm në lehtësimin e transportit të prodhimeve bujqësore drejt tregut, si edhe në përmirësimin e jetës së përditshme të banorëve.

Banorët e zonës e kishin prej kohësh këtë kërkesë, pasi gjatë reshjeve të shiut rrugët në zonat kodrinore bëheshin problematike dhe vështirësonin lëvizjen. Tashmë, me ndërtimin e kësaj unaze, fermerët dhe familjet e fshatit do të kenë akses më të lehtë dhe më të sigurt, duke u ndjerë më pranë qytetit dhe më të lidhur me tregun.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryetari i Bashkisë, Gledian Llatja, u shpreh se investimet në infrastrukturën rurale mbeten prioritet, pasi ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik të zonave dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve. Ai theksoi se Bashkia do të vijojë të jetë pranë komunitetit me projekte konkrete që mbështesin bujqësinë dhe ekonominë familjare.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkohë, deputetja Evis Kushi deklaroi se gjatë kësaj periudhe ka qenë shpesh në këtë zonë, duke vlerësuar potencialin e lartë që Shirgjani ka për bujqësinë dhe ekonominë rurale.

“Jemi përsëri këtu për këtë rrugë të re që do t’u shërbejë banorëve për pronat, arat dhe serrat, por edhe si një unazë lidhëse për fshatin. I gjithë potenciali i kësaj zone përkthehet në ekonomi rurale dhe në mirëqenie për familjet e kësaj zone”, u shpreh Kushi.
Edhe banorët e Kryezjarrit shprehën mirënjohjen për realizimin e këtij investimi, duke vlerësuar mbështetjen dhe praninë e vazhdueshme të Bashkisë në zgjidhjen e problematikave të zonës.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?