Kryebashkiaku shkon në burg? Rivali i tij: Duhen zgjedhje të parakohshme

Pas një procesi të gjatë, Gjykata Kundër Krimit të Organizuar ka dënuar me 9 muaj burg kreun e bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdari. Megjithatë, Hajdari nuk do të kalojë asnjë ditë pas hekurave, pasi dënimi ndaj tij u konvertua nga togat e zeza me 150 orë punë.

Hajdari kërkoi gjykim të shkurtuar kur GJKKO vendosi të kalojë për gjykim dosjen ndaj tij për akuzën “falsifikim i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë lidhur me mosdeklarimin e procesit gjyqësor ndaj tij në Greqi.

Ish-rivali i tij në zgjedhjet bashkiake, Lefter Maliqi, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, shkruan se kryeministri Edi Rama duhet ta shkarkojë Hajdarin dhe Kuçova të kalojë për 45 ditë në zgjedhje të parakohshme. ”Beteja ligjore vazhdon, s’ka kthim pas deri në rikthimin e Bashkisë Kuçovë të grabitur më “14 Maj”, tek qytetarët. Kuçova nuk meriton Kryetar të dënuar dhe abuzues me detyrën”,-shkruan Maliqi.

Avokati i kryebashkiakut, Theodhori Sollaku tha se ky vendim nuk ndikon në ushtrimin e detyrës së Hajdarit. ”Gjykata dha përfundimisht një vendim dënimi, duke e dënuar me 150 orë në komunitet. Duhet të merret vendimi i formës së prerë. Se ne do të apelojmë. Sipas nenit 63 nuk figuron i denuar personi qe dënohet me pune ne komunitet”, tha ai.

SHKARKO APP