Kryebashkiaku socialist i Fierit pranon skandalin e ndotjes së Gjanicës
Kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi ka pranuar ndotjen e lumit Gjanica nga kompanitë e naftës në Fier, dhe ka paralajmëruar shtrëngimin e tyre dhe procedimin për të gjithë shkelësit.
Në një dalje për mediat, Subashi tha se është koha që kompanitë e naftës të investojnë në mjedis një pjesë të fitimit që për gjithë këto vite kanë marrë nga nëntoka.
“Sa i takon Gjanicës jemi në përfundim të një projekti që ka nisur prej më shumë se një viti, për sistemimin e Gjanicës dhe qendrës së qytetit. Lajm i mirë është që Fondi Shqiptar i Zhvillimit është në fazën e prokurimit për pjesën e mbetur të lumit.
Ndotja e Gjanicës është një sfidë e vazhdueshme, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm që duhet të merremi seriozisht me këtë problem që kemi në qytet. Policia ka identifikuar disa subjekte, kryesisht në fushën e naftës që ndosin në mënyrë të vazhdueshme lumin dhe janë duke përgatitur procedimet për këto raste.
Jemi të gjithë në një mendje që është një gjë që duhet të marrim masa sa më parë. Ne kemi identifikuar të gjitha zonat ku ka shkarkime, edhe në mënyrë natyrale, që është nafta bruto, dhe derdhet edhe në mënyrë natyrale duke ndotur Gjanicën.
Në secilën prej këtyre do ndërtohet një impjant shkarkimi, kërkon një kosto të madhe, ka ardhur momenti që të shtrëngojmë kompanitë që merren me naftën, që një pjesë të investimeve ti hedhin për mbrojtjen e mjedisit. Duhet deri në pezullim të këtyre kompanive, pasi e kanë për detyrim që të marrin të gjitha masat, për mos të krijuar asnjë lloj ndotje në mjedis”, u shpreh Subashi.