Kryemadhi me studentët e Ekonomikut: Duhet një ndryshim cilësor, që potencialin e rinisë shqiptare ta mbajmë këtu
Këtë pasdite të së enjtes, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi është takuar me studentët e fakultetit të Ekonomisë, ku thotë se duhet një ndryshim cilësor që potencialin e rinisë shqiptare ta mbajmë këtu. ”Mungesa e perspektivës së punësimit, shkalla e lartë e taksave, kostoja e lartë dhe e papërballueshme e jetesës, borxhi publik i fryrë prej koncesioneve dhe PPP klienteliste, janë disa prej faktorëve që e ka bërë rininë ta shohi të ardhmen jashtë Shqipërisë”,-shkruan Kryemadhi në facebook.
Postimi i plotë
Një pasdite e shkëlqyer me studentët e talentuar nga Fakulteti i Ekonomisë. Frymëzuese idetë e tyre të qarta, se si përmes politikave të duhura, potenciali i ekonomisë së vendit mund të vendoset në shërbim të mirëqenies së çdo familje në vend. Kjo është ndjenja e përkujdesjes që i mungon qeverisjes aktuale.
Folëm edhe për mangësitë e sistemit tonë arsimor, i cili nuk u ofron trajnimet e nevojshme, që t’i aftësojnë për tregun e punës, apo për Kartën e Studentit, që si një premtim i pambajtur ka mbetur një politikë boshe, pa ofruar asnjë lehtësi financiare ndaj studentëve.
Mungesa e perspektivës së punësimit, shkalla e lartë e taksave, kostoja e lartë dhe e papërballueshme e jetesës, borxhi publik i fryrë prej koncesioneve dhe PPP klienteliste, janë disa prej faktorëve që e ka bërë rininë ta shohi të ardhmen jashtë Shqipërisë.
Duhet të bëjmë çdo gjë për të sjellë një ndryshim cilësor, që potencialin e rinisë shqiptare ta mbajmë këtu, për të ndërtuar me vizionin e tyre Shqipërinë tonë europiane.