Kryemadhi, Ramës: Data jote e skandencës është më 25 prill. Ke mediat, oligarkët dhe çdo gjë më vete, por nuk ke më njerëzit
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka reaguar sot pas akuzave dhe fyerjeve që Edi Rama bëri në adresë të saj dhe deputetëve të LSI. Kryemadhi u shpreh se kryeministri në ikje do të marrë përgjigjen duhur nga qytetarët dhe opozita duke e përzënë nga politika më 25 prill. “Data jote e skandencës është më 25 prill. Ke mediat, SPAK, oligarkët dhe çdo gjë më vete, por nuk ke me vete njerëzit”,- tha kryetarja e LSI.
Kryemadhi u shpreh se emrat që Edi Rama i prezantoi si suksese të qeverisjes së tij, drejtojnë sektorët më problematikë që ka sot vendi.
“Tashmë do t’i përgjigjem Edi Ramës, që sot shfrynte turfullonte dhe shkumëzonte nga inati se kishte përballë listën fituese, listën e opozitës, të cilën donte ta blinte. Sot shikonim Edi Ramën që vallëzonte si balerinë në bunkerin e tij. E garantoj që jo belin, po as qafën nuk do të lëvizë dot më 25 prillit. Qytetarët paguajnë fatura të kripura për tu kuruar nga Covid-i. Shëndetësia është në fazën më të keqe, nuk ka pasur asnjëherë shëndetësi më të shkatërruar. Arsimi shqiptar nuk mund të jetë peng e strukturave pa identitet e lindjes së largët. Pse lista e Edi Ramës është listë humbëse? Ai e ka shkruar fundin e tij më 25 prill. Rama u rriti shqiptarëve taksat, mbi rrogat dhe pagat, edhe për ata që kishin pak ekonomi. Vuri pagesa për parkingjet në rrugët e Tiranës, ju rriti çmimin e ujit shqiptarëve bashkë me Lali Erin”,- tha ndër të tjera Monika Kryemadhi.
Duke u ndalur në sulmet ndaj LSI, Kryemadhi shtoi se “Rama ka frikë nga lista e LSI-së sepse ka frikë nga vendet e punës që krijohen për të rinjtë, ka frikë nga LSI sepse nuk bën dot kompromis me ta”.