Situatë e tensionuar te Teatri Kombëtar. Forca të shumta policie dhe fadroma gati të ndërhyjnë. Mbërrin krejt Opozita te Teatri

Tashmë sheshi përpara Teatrit Kombëtar është kthyer në një manifestim ku qytetarët janë shtuar ndjeshëm në numër. Artistëve e aktivistëve u janë bashkuar edhe eksponentë të kampit opozitar. Ndodhen Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi e të tjerë ish-deputetë e përfaqësues të lartë politikë të opozitës.

Në fjalën e saj para mediave, kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi e cila mbërriti që herët, u shpreh edhe një herë se Teatri do të shembet vetëm atëherë kur fadromat do të kalojnë mbi trupat e tyre.

“Le të vijnë fadromat, ua kam thënë dhe ua them, do ta shembin Teatrin vetëm po kaluan mbi trupat tanë. Nuk ka nevojë as për një mijë veta, as për 100 veta, ne që jemi këtu, të kalojnë mbi trupat tanë dhe ta shembin. Beteja jonë nuk është politike, por për trashëgiminë, kulturën, për të ardhmen e fëmijëve tanë. Është si puna e verës kjo godinë, sa më e vjetër aq më e mirë është. Nuk mendoj që kryeministri italian do të shembi koloseun se do të ndërtojnë një kolose të ri. Të shkojnë diku tjetër të ndërtojnë një Teatër të ri e kanë Piramidën. Ky le të qëndrojë”, tha Kryemadhi.

Lulzim Basha sapo mbërriti deklaroi se “Kjo është një betejë që ka të bëjë me shumë se me një monument kulture. Është një betejë që ka të bëjë me demokracinë dhe lirinë. Ky është një vendim që nuk i takon Bashkisë së Tiranës. Ky monument duhet restauruar siç thonë dhe përfaqësues të BE. BE jep taksa të qytetarëve të saj për ta rikonsturktuar dhe ne duam ta prishim, kjo është e paimagjinueshme. Sot po kërkojnë të shembim Teatrin Kombëtar nesër do të shembin mediat, shtëpitë. Edi Rama është e keqja e Shqipërisë.”,- tha Basha

Po kështu ish-deputetë të PD dhe LSI ndodhen te Teatri dhe janë të gatshëm të përleshen me forcat e Edi Ramës. Edhe deputeti Lefter Maliqi i cili ndodhet me qytetarët te Teatri tha se le ta prekin po munden forcat e policisë, nëse ua mban. Ky Teatër do jetë fundi i Edi Ramës.

Dashamir Shehu, kryetar i LZHK tha para njerëzve se kjo që po bën Edi Rama është çmenduri, pasi Teatri duhet rikonstruktuar dhe nëse duan Teatër të ri le ta bëjnë se ka vende plot Tirana. Por duan tokën në qendër e këtu mbetet hilja dhe krejt lufta e kryeministrit.

 

SHKARKO APP