Kryemadhi uron Pavarësinë e Kosovës: Në zgjedhje dha shembull të respektit ndaj shtetit dhe vullnetit të qytetarëve

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, me anë të një postimi në “Facebook” ka uruar 13-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Kryemadhi shprehet se 17 shkurti kurorëzoi aspiratat shekullore të popullit shqiptar për Kosovën e pavarur, kurse shton se Kosova po ashtu në zgjedhje dha shembull të respektit ndaj shtetit e vullnetit të qytetarëve.

Postimi i kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi:

Sot, Kosova feston Ditën e Pavarësisë.

17 shkurti i 13 viteve më parë, kurorëzoi aspiratat shekullore të saj për liri e pavarësi, drejtësi e dinjitet njerëzor, për të cilat bënë sakrificat më sublime mijëra djem e vajza të saj.

Në 13 vitet e pavarësisë, përparimi i Kosovës është mbresëlënës në drejtim të forcimit të shtetit të së drejtës, dhe në afirmimin si një partner serioz në rajon që i kontribuon paqes, sigurisë dhe integrimit të tij në BE.

Me zgjedhjet e zhvilluara pak ditë më parë, Kosova dha një shembull tjetër të respektit ndaj shtetit dhe vullnetit të qytetarëve të saj. Unë besoj dhe uroj që përballimi i pandemisë, zhvillimi i mëtejshëm ekonomik e social, përparimi me agjendën e integrimit në BE, si dhe marrëveshja e normalizimit me Serbinë që ka në thelb njohjen reciproke, janë sfida që Kosova do t’i përballojë në mënyrë të suksesshme.

Gëzuar 17 shkurtin, gëzuar ditën e pavarësisë së Kosovës! 🇽🇰

SHKARKO APP