Kryeministri “bombardohet” nga qytetarët, (dikush i bën ftesë për azil)

Kryeministri Edi Rama është “bombarduar” me pyetje nga qytetarët, teksa mbi qindra e  mijëra mesazhe i mbërritën për pak orë. Duke përfituar nga rasti që iu dha mundësia on-line për të ngritur shqetësimet e tyre, qytetarët i kanë bërë pyetje  nga më të ndryshmet kryeministrit, duke ngritur shqetësime reale, por kishte nga ata që e kanë humbur besimin nga politika.   

Rozi Marku  i ka shkruar kryeministrit Rama, duke e pyetur se  “kur do të kemi mundësinë të shikojmë që njerëzit tanë po kurohen në spitalet tona nga mjekë që ta duan profesionin dhe të kenë dhembshuri për pacientët, nga mjekë të  pakorruptuar që përdorin të gjitha mjetet dhe medikamentet europiane, nga mjekë që e shikojnë pacientin si të ishte vetë në vendin e tij dhe jo si një  kafshë që edhe po vdiq s’ka gjë… mjafton që mjekët të mbushin xhepat me lekë,” – ngriti pyetjet e shqetësimin e saj qytetarja në fjalë.

Elfrida Demçe, e ka pyetur kryeministrin se “Studentët që kanë mbaruar studimet dhe zotërojnë një Cv shumë  të mirë, si do futen në punë? Përveç ndërhyrjes me mik dhe me para? Shpresoj të na jepni një zgjidhje!” – i thotë ajo kryeministrit, teksa fenomeni i punësimit mbetet problem, pasi njerëzit e duhur nuk po shkojnë “në drejtimin e duhur”, por po kërkojnë azil në vendet e BE-së duke qenë se tregu vendas nuk afron asgjë, por punësim në bazë të preferencave dhe humorit të zyrtarit të lartë, të deputetit, apo ministrit që zgjidhet nga politika, praktikë kjo e njohur që prej rënies së komunizmit.

Gazmend Kreci e çon më tej pyetjen mbi këtë problem, duke iu  drejtuar kryeministrit “Edhe sa do të vazhdoni të mbani në administratë njerëz me tre klasë!!”

Aurela Rexha, siç duket ka qenë një mbështetëse e Kryeministrit dhe partisë së tij para se të vinte në pushtet por ka mbetur e zhgënjyer ndaj edhe pyet “Kur e keni ndërmend të punësoni mbështetësit tuaj të vërtetë prej vitesh ashtu siç bën LSI & PD? Nqs jo na thoni të ndërrojmë aderim atje ku shanset për punësim janë të mëdha,” – pyet ajo kryeministrin.

Blerim Jata kishte një kërkesë tjetër dhe i drejtohet kryeministrit:   – “Në Tiranë, çdo 10 metra gjendet një pikë "bastesh futbolli", ku populli duke filluar nga mosha 10 vjeç e lart, çdo ditë harxhon lekë. Në vend që fëmija i moshës 10, 11, 12, 13 vjeç të luajë me bashkëmoshatarët e tij në parqe lojërash, qëndron tërë ditën në këto pika bastesh. Ju lutem të pakësoni këto pika bastesh në Tiranë dhe të shtoni sa më shumë hapësira të gjelbërta e parqe për fëmijë , që brezat të rriten shëndetshëm.”

Ka pasur shqetësime të qytetarëve të shumta që punojnë dhe jetojnë në emigrim, të shqiptarëve jashtë kufirit, apo të atyre që jetojnë dhe punojnë në fshat, ku ndihma e shtetit ka qenë zero. Ka pasur po ashtu shqetësime të shumta të qytetarëve mbi drejtësinë që iu jepet atyre që kanë pushtet dhe para, apo për pronat që i kanë zaptuar abuzivisht duke falsifikuar edhe dokumentet ish-zyrtarë të lartë apo qoftë edhe zyrtarë të pushtetit lokal,  për interesat e tyre vetjake. 

Dhe sesa shqetësime kanë shqiptarët e sa i dobët është shteti për t’iu ardhur në ndihmë atyre, mja f ton pyetja që ka një qytetar me pseudonim i kërkon takim kryeministrit Rama, si shpresa e fundit që ai mund të ndihmojë dhe të mos qëndrojë më i ngujuar.

Besso Ümay, i drejtohet kryeministrit: “Jam një djalë 24 vjeç i ngujuar për gjakmarrje që prej 8 vitesh dhe banoj në Tiranë. Kam që në shkurt të 2014 duke kërkuar ndihmë në instancat e shtetit shqiptar, por nuk më kanë ndihmuar fare. Kam kërkuar ndihmë edhe në ministrinë e Brendshme por as aty nuk më është dhënë ndihma. Të lutem Z. kryeministër, mund të lë një takim me ju personalisht, sepse vetëm ju mund të më ndihmoni.”

Por ka edhe  mjaft të tjerë që e kanë humbur besimin te politika teksa njëri nuk ka shtruar asnjë pyetje por mallkon të gjithë politikanët. Një tjetër e ka ftuar kryeministrin Rama për të kërkuar azil, sikurse ai vetë dhe shumë shqiptarë të tjerë.   

SHKARKO APP