Kryeministri i Kosovës: Shqipëria të shikoj punët e saj. Kujtoni vitin 1997!

 

Nuk ka vonuar shumë dhe kryeministri kosovar Isa Mustafa i është përgjigjur me kunja deklaratës së Qeverisë së Shiqpërisë.

Ja deklarata e kryeministrit të Kosovës:

“Edhe Marrëveshjet, të cilat në mënyrë të dhunshme po refuzohen nga partitë opozitare, s’kanë të bëjnë me asgjë tjetër, përpos me nevojën e ushtrimit të sovranitetit në të gjithë vendin tonë, për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjët, dhe s’kanë të bëjnë assesi me humbjen e këtij sovraniteti ose me humbje të territorit të Republikës së Kosovës. Marrëveshja për Asociacionin është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese. Ajo Marrëveshje është bazuar në Ligjin mbi Ratifikimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për Normalizimin e Marrëdhënieve në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Qeveria do të jetë e gatshme që të respektoj në plotëni vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe konsideroj se këtë vendim duhet ta respektojnë të gjitha palët.

Me Malin e Zi kemi të bëjmë me shënimin e kufirit për territorin të cilin Kosova e ka administruar si krahinë, nga vitit 1974, përkatësisht sipas Pakos së Ahtisaarit, deri më 31 dhjetor të vitit 1988. Me këtë rast, duhet të nënvizoj, se nuk kemi të bëjmë me demarkacion klasik, i cili nënkupton kritere të veçanta për caktimin e kufirit. Komisioni e ka pas për detyrë të shënoj kufirin aty ku është administruar gjatë asaj periudhe kohore. Ndërkaq, ne si Qeveri, jemi shprehur hapur se do të pranojmë dhe do të jemi të hapur për çdo pretendim dhe për çdo argument, nëse vërtetohet se është bërë shmangie nga ajo vijë. Pra, nga vija e territorit ku është shpallur pavarësia e Republikës së Kosovës, dhe në të cilën është njohur Kosova si shtet sovran dhe i pavarur. Po ashtu, kemi shpreh gatishmërinë tonë se jemi të gatshëm për një komision miks ndërkombëtar, qeveritar dhe të opozitës, në mënyrë që ata t’i ballafaqojnë argumentet, të vlerësojnë procedurat dhe dokumentacionin, mirëpo gjithherë duke pas parasysh se këtu nuk kemi të bëjmë me përcaktim të kufijve të ri, por kemi të bëjmë vetëm me shënim të kufijve, në vijat ku kanë qenë deri më 31 dhjetor të vitit 1988. Prandaj, konsideroj se opozita duhet të kthehet në Kuvend. Duhet t’i shpreh në foltoren e Kuvendit të gjitha shqetësimet lidhur me këto çështje, dhe se askush nuk ka nevojë të frikësohet nga e vërteta, as pozita dhe as opozita. Ndërkaq, çdonjëri prej nesh, edhe si individ dhe edhe si përfaqësues të institucioneve apo subjekteve politike, do të ballafaqohet me qytetarët dhe do t’iu japim shpjegim dhe përgjegjësi për të vërtetën. E vërteta nuk arsyetohet me mjete të dhunshme. Nuk arsyetohet me gaz lotsjellës, me vegla për shpimin e gomave, me shishe me benzinë, me maska të zeza, me plumba të gomës ose me sfera të qelqit. Këto nuk janë mjete demokratike, këto janë mjete të dhunshme. Prandaj, për këto ne s’mund të bëjmë dialog me askënd.

Ne, dialog mund të bëjmë vetëm për procese demokratike të cilat duhet t’i zhvillojmë në vendin tonë. Në këtë aspekt, unë si kryeministër, përkrahi plotësisht veprimet të cilat institucionet e Republikës së Kosovës po i ndërmarrin: veprimet e Policisë së Kosovës, veprimet e Prokurorisë dhe veprimet e organeve gjyqësore, sepse dëshirojmë ta ndërtojmë dhe synojmë ta ndërtojmë një shtet ligjor dhe këtë shtet do ta ndërtojmë.

Qeveria është e hapur për çdo dialog i cili e respekton rendin demokratik, është e përkushtuar në zbatimin e plotë dhe të barabartë të ligjit për të gjithë qytetarët.

Unë sot edhe në emrin tim, edhe në emrin tuaj, e ftoj opozitën të kthehet në Kuvend, të heq dora nga dhuna dhe ultimatumet, të dialogojë dhe të diskutojë në Kuvend, dhe opozita të bëhet pjesë dhe të vazhdoj si pjesë e të gjitha procese demokratike të cilat janë të rëndësishme për vendin tonë. I ftoj po ashtu edhe të gjithë dashamirësit tjerë, edhe nga Kosova, por tash edhe nga Shqipëria, qoftë përfaqësues të institucioneve të ndryshme, apo intelektualë, të subjekteve të pavarura, të cilët nuk kanë nevojë të ndjellin asnjë konflikt në Kosovë. Unë uroj që në Shqipëri të mos ndodh gazi lotsjellës në Parlamentin Shqiptar, as në rrugë, sepse të gjithë ne i dimë se cilat kanë qenë pasojat e sjelljeve të tilla të vitit 1997. Dhe po ashtu, konstatoj se eksponentët e asaj dhune nuk mund ta moralizojnë askënd, nuk mund të moralizojnë për demokraci as në Shqipëri dhe as në Kosovë. Ne e marrim përgjegjësinë për gjendjen që është këtu, dhe këtë përgjegjësi e kemi marrë nga qytetarët tanë, dhe këtë përgjegjësi do t’ia referojmë dhe t’ia adresojmë qytetarëve, votuesve dhe demokracisë së vendit tonë”, tha kryeministri Isa Mustafa.

SHKARKO APP