Kryeministri na tregon se edhe në mestetor, në Sarandë bëhet plazh

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Kryeministri, Edi Rama ka përcjellë atmosferën e qetë të një dite plazhi mestetori në Sarandë. Edhe pse temperaturat kanë pësuar rënie, qytetarët, të dashuruarit me detin, i kanë besuar ditëve me diell dhe ngrohtësi, për të vijuar ta shijonë plazhin, jo vetëm duke marrë rreze, por edhe duke u larë në ujërat e kristaltë.

Plazhi i Sarandës ka parë një rritje të ndjeshme në numrin e turistëve gjatë vitit 2024, duke ndjekur trendin e përgjithshëm të turizmit në Shqipëri, e cila po përjeton një rritje rekord. Sipas të dhënave, numri i turistëve në Shqipëri u rrit me 34% në gjashtë muajt e parë të vitit 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023. Kjo rritje ka qenë e ndikuar nga promovimi ndërkombëtar dhe çmimet më të ulëta në krahasim me destinacionet e tjera në Evropë, gjë që e bën Sarandën dhe bregdetin shqiptar një destinacion të preferuar për pushime​

Turistët nga Polonia, Çekia, dhe vende të tjera të Evropës Qendrore kanë qenë veçanërisht të shumtë në Sarandë, ndërsa kërkesa për pushime me paketa të organizuara ka qenë aq e madhe sa disa agjenci nuk kanë mundur të plotësojnë kapacitetet e nevojshme. Në përgjithësi, numri i vizitorëve ka vazhduar të rritet, dhe infrastruktura po përmirësohet për t’u përshtatur me këtë fluks​

Saranda është kthyer në një prej qendrave kryesore turistike të vendit, tërheqëse jo vetëm për plazhet, por edhe për trashëgiminë kulturore dhe afërsinë me atraksione të tjera si Butrinti.

Albert Vataj

 

SHKARKO APP