Kryeministri publikon shifrat: Ja sa vizitorë të huaj hynë në Shqipëri gjatë vitit 2024
Kryeministri Edi Rama ka publikuar shifrat zyrtare të vizitorëve të huaj gjatë vitit 2024. Rama shprehet se 11.7 milionë vizitorë të huaj kanë vizituar vendin tonë gjatë këtij viti.
“11,7 milionë vizitorë të huaj ose 15% më shumë se viti 2023, e bën vitin 2024 një tjetër vit rekord që na dëshmoi se Shqipëria nuk është thjesht kuriozitet i momentit, por ka shtruar për së mbari rrugën e saj në rritjen e qëndrueshme në shifra, në krijimin e një oferte serioze e të diversifikuar, si dhe ofrimin e përvojave unike në të gjitha shijet dhe ndjesitë e saj.
Konsolidimi i tregjeve të Europës Perëndimore si Italia, Gjermania, Franca, Spanja apo Britania, përveç rritjeve nga vendet e rajonit dhe afrimi i vizitorëve nga tregjet e largëta aziatike dhe amerikane, shoqëruar me impaktin e jashtëzakonshëm në ekonomi siç janë 3,8 miliardë euro të gjeneruara nga turizmi vëtëm në 9 muajt e vitit 2024 apo rritja e standardeve të strukturave akomoduese janë treguesit më të mirë të vizionit që po bëhet realitet, promovimit prestigjoz dhe eksperiencave të mira të krijuara vit pas viti”, shkruan Rama.