Kryeministri Rama: Bashkia e Vlorës do të kthehet në institucionin e “pagjumësisë”
Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një tjetër takim në bashkinë e Vlorës, ku inspektoi hapësirat publike në disa zona, dhe konfirmoi edhe njëherë dorëheqjen e drejtorëve në këtë bashki.
Rama e cilësoi këtë hap si të parin drejt një transformimi të thellë në këtë qytet. Ai tha se bashkia e Vlorës duhet të jetë një institucion për qytetarët dhe një “institucion i pagjumësisë”, ndërsa ftoi të rinjtë e të rejat që të aplikojnë për vendet vakante në bashki.
“Drejtorët e bashkisë e kanë kuptuar që qyteti është mbi të gjitha, dhe që janë të papërshtatshëm për atë detyrë. Natyrisht që ndonjërit mund t’i jepet mundësia në të ardhmen. Drejtuesit, edhe ata rajonalë, kanë dhënë dorëheqjen dhe i falënderoj. Nuk do të ketë rikthim për dorëheqjet. Bashkia do të konfirmojë të gjithë dorëheqjet dhe kështu do të ndodhë me të gjitha institucionet e vendit e ato rajonale. Ky është vetëm hapi i parë i një transformimi të nisur dhe që bashkia e Vlorës do të jetë në një institucion për qytetarët dhe institucion i pagjumësisë. I ftoj të rinj e të reja të aplikojnë dhe ne do të jemi krah tyre”, tha kreu i qeverisë.
Me tej kryeministri nënvizoi: “Ka ikur koha e deputetëve, të cilët japin zgjidhje të problemeve nga kafeneja. Duhet që ata të dalin në terren dhe t’ju shërbejnë qytetarëve. Problemi i hapësirave publike është një problem që po trajtohet në terren. Nuk ka tendencë për t’i zënë frymën bizneseve. Tendenca është që të harmonizohen interesat e të dyja palëve, biznesit dhe qytetarëve. Zaptimi i trotuarit është i papranueshëm. Trotuari duhet të jetë i dedikuar vetëm për këmbësorët. Të gjithë njësitë e shërbimit në Lungomare do të kenë një dizajn të ri për të harmonizuar nevojën dhe interesin e tyre. Problematika e zënies së hapësirës publike është në çdo rrugë dhe në çdo rrugë do të veprohet.
Problemi tjetër i Vlorës janë parkimet. Kemi filluar punën për dy parkime publike dhe do të hapim të tjera investime në vijimësi, por kjo gjë nuk justifikon parkimin në kundërshtim me ligjin duke zënë hapësirën e këmbësorëve. Policia rrugore do të jetë shumë e ashpër në këtë drejtim. Problemi i ujit të pijshëm është një tjetër problem i adresuar. Për shkak të ngarkesës që ka qyteti në këtë periudhë dhe për shkak të investimeve. Çfarë kemi konstatuar është një keqmenaxhim vitet e fundit i ujësjellësit të Vlorës në këtë drejtim. Ka një abuzim madhor për konsumimin e ujit të pijshëm për të vaditur bahçet dhe tokat bujqësore. Ministria po përgatit një paketë për ta reformuar këtë sektor.
E njëjta gjë do të vlejë edhe për drejtuesit e institucioneve qendrore në Vlorë, të cilët janë dorëhequr. Asnjë person që ka mbuluar funksionet publike nuk do të rimerret si drejtues në këtë fazë. Të gjithë drejtuesit do të merren të rinjtë. Të gjithë janë të mirëpritur të kontribuojnë më shumë për qytetin”- tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

