Kryeministri Rama: Do ta ndalojmë muzikën në baret e plazheve, stresojnë dynjanë
Kryeministri Edi Rama ka thënë sot se do të ndalohet muzika nëpër baret e plazheve.
“Duhet të ndalojë tallavaja e beach bareve të vendosura jo për të shërbyer, por për të stresuar gjithë dynjanë. Zona të tëra të banuara duhet të vuajnë ngritjen e muzikës. Ne do ta ndalojmë muzikën, s’do të ketë muzikë në beach bare dhe do të bëjmë ridimensionim të numrit të tyre dhe të mënyrës se si do të lidhen me shërbimin në tërësi. U habitëm fare, hapet beach bar, nga baech bari në barch bar është si të kalosh historinë e Rock & Roll, me një volum konkurues. Muzika duhet ndaluar plotësisht jashtë orëve të plazhit dhe në orët e plazhit muzika duhet të jetë për ata që shkojnë te beach bari, jo për ata që kalojnë te bypasi i Fierit. Nuk është e gjithë bashkia që duhet të dëgjojë jehonën”, tha Rama.
Ky vendim, nëse zbatohet, do të jetë një prej vendimeve me të mira ndaj publikut, sepse disa të “fortë” bëjnë namin me muzikë duke u harbuar vetë por duke çmendur miletin.
Po kështu edhe në Tiranë, në disa lagje, është tmerr pas orës 23.00 ku nuk flihet dot nga muzika e madhe, ku nxjerrin edhe altoporlantet në dritare.
Gjithashtu Rama ka theksuar se dy plazhe të sigurt që do menaxhohen nga bashkitë janë Ksamil dhe Dhërmiu, duke shtuar se ata që njihen si dhunues plazhi, nuk do të lejohen të aplikojnë për t’u angazhuar më tej në këtë sektor.
Edi Rama: Uroj të ketë dëgjuar kush duhet të dëgjojë, por do t’i ripërsërisim disa herë këto në mënyrë që ata të cilët janë mësuar të dhunojnë plazhet me shezlongë ngjitur me njëri-tjetrin dhe bishta çadrash, të mos marrin më mundimin të aplikojnë fare.
Shumë shpejt do të nxjerrim të gjithë planin e ri për bregdetin dhe në bashkëpunim me të gjitha bashkitë do të kuptojmë se cilat plazhe bashkitë do t’i marrin tërësisht, por dy janë të sigurta Ksamili dhe Dhërmiu.
KOHA JONË SONDAZH

