Kryeministri Rama flet pas samitit në Bruksel: Vendet anëtare vlerësim pozitiv për progresin e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për shtyp për të folur lidhur me samitin e djeshëm në Bruksel mes liderëve europianë dhe atyre të Ballkanit Perëndimori.

Në nisje të fjalës së tij, Rama tha se ka marrë një vlerësim pozitiv për progresin e Shqipërisë drejt integrimit në BE.

“Dje ishte një samit ku u diskutua perspektiva e vendeve tona. U vu në pah progresi. U fol për procesin e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës.

Po ndaj me ju faktin se vendet anëtare kanë një vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë dhe posaçërisht nga ana e Komisionit Europian vlerësohet me nota shumë pozitive performanca jonë e negociatave në fazën e parë tanimë të përmbushur të skanimit të organizmit shtetëror të Shqipërisë dhe të tregjeve tona. Do të organizoj një takim falënderimi dhe motivimi për anëtarët e kësaj skuadre e cila në totalin e vet, është rreth 1000 vetë, ku përfshihen jo vetëm institucionet e shtetit. Një skuadër që ka bërë 707 prezantime në Bruksel.

Ky ishte samiti i fundit i BE-së me Ballkanin Perëndimor nën këtë lidership. U jemi shumë mirënjohës, si kurrë më parë që Ballkani Perëndimor është dëgjuar. Kemi fituar një respekt që nuk e kemi pasur kurrë. E kam informuar samitin për modelin tonë me inteligjencën artificiale me të cilën do të bëjmë mbivendosjen e mbi 3000 masave në legjislacionin tonë. Kjo do të jetë pjesë e strategjisë sonë”,- tha Rama.

SHKARKO APP