Kryeministri Rama: Marrëdhënia mes Shqipërisë dhe Kinës ka qenë e afërt dhe mbetet miqësore
Në episodin e fundit të podcastit “Flasim”, kryeministri Edi Rama priti përfaqësues zyrtarë të Ambasadës kineze dhe studentë nga Kina që studiojnë në Shqipëri. Gjatë bisedës, Rama vuri në dukje se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kinës mbeten miqësore, edhe pse më parë lidhja ka qenë shumë e ngushtë dhe ndërkohë ka ndryshuar për shkak të zhvillimeve rajonale dhe ndërkombëtare.
Kryeministri theksoi gjithashtu zhvillimin e jashtëzakonshëm të Kinës dhe rëndësinë e njohjes së saj pa paragjykime. Ai njoftoi se po përgatitet përkthimi në shqip i librit “The New China Playbook”, të ekonomistes kineze Keyu Jin, një veprim që e konsideron si një guidë të vlefshme për të kuptuar Kinën dhe politikat e saj ekonomike.
Rama shtoi se është e domosdoshme të forcohet bashkëpunimi akademik, shkëmbimet kulturore dhe zhvillimi i turizmit midis dy vendeve. Ai nënvizoi se këto iniciativa mund të ndihmojnë në afrimin e popujve dhe forcimin e marrëdhënieve historike, duke sjellë përfitime të ndërsjella në nivel arsimor dhe kulturor.
Në fjalën e tij, kryeministri kujtoi se marrëdhënia me Kinën dikur ka qenë shumë e afërt, por kohët e fundit vendet kanë qënë më të largëta në krahasim me raportet e Kinës me vende të tjera në rajon. Megjithatë, Rama theksoi se marrëdhënia mbetet miqësore dhe se zhvillimi i Kinës, sidomos në fushën ekonomike, është i jashtëzakonshëm. Përmes këtij përkthimi dhe bashkëpunimeve të tjera, Shqipëria synon të fuqizojë lidhjet kulturore dhe akademike me Kinën, duke e parë këtë si një mundësi të rëndësishme për të nxitur shkëmbime dhe njohuri reciproke.
KOHA JONË SONDAZH

