Kryeministri Rama niset drejt Pragës, zbardhen detaje nga vizita
Kryeministri Edi Rama do të jetë këtë fundjavë në Çeki, ku do të marrë pjesë në Konferencën e Liderëve Evropianë në kuadër të punimeve të forumit GLOBSEC. Mësohet se kreu i qeverisë do të udhëtojë këtë të premte, 30 gusht, drejt Pragës.
Burimet për mediat bëjnë me dije se Rama pritet që të ketë takime me liderët evropianë. Në fokus do të jetë procesi i integrimit të Shqipërisë në BE dhe nisja nga shqyrtimi i grup kapitujve të anëtarësimit.
Ndërsa kemi disa vite që procesi ynë integrues është i lidhur me Maqedoninë e Veriut, pritshmëritë janë që në vjeshtë kjo gjë të ndryshojë. Procesi integrues i Maqedonisë së Veriut ka mbetur peng i problemeve me Bullgarinë, pasi Shkupi ende nuk e ka ndryshuar Kushtetutën e tij për të reflektuar kërkesat e vendosura prej saj.
Forumi GLOBSEC, diskutime për agresionin rus dhe rolin e NATO-s
Ky është edicioni i 19-të i forumit GLOBSEC, i cili do të zgjasë për tri ditë nga 30 gushti deri më 1 shtator të vitit 2024. Forumi GLOBSEC synon të theksojë rëndësinë e rritjes së ruajtjes së stabilitetit global. Forumi GLOBSEC do të mbledhë liderë nga qeveritë, bizneset, akademitë dhe OJQ-të për të hartuar strategji për të trajtuar një mori sfidash me të cilat përballet bota aktualisht siç janë agresioni i hapur ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës fqinje dhe tensionet e vazhdueshme në Detin e Kinës Jugore.
Diskutime do të ketë edhe sa i takon angazhimit çek për rritjen e pozitës parandaluese dhe mbrojtëse të Europës. Forumi do të analizojë rolin e NATO-s në fuqizimin e partnerëve, si Ukraina, si dhe aktorëve të tjerë të cenueshëm në fqinjësinë e Evropës përballë sfidave të sigurisë në zhvillim.