Kryeministri Rama: Pas prokurores Gjeli na del edhe një gjyqtar Balliu, që shkel hapur ligjin

Nga Edi Rama

Pas prokurores Gjeli, e cila e konsideroi krimin e ndërtimit të një fshati të tërë turistik pa leje në zemër të Thethit, si një zhvillim të natyrës dhe as nuk hapi fare hetime, duke u vendosur hapur në llogoren e Antiligjit e të Antishtetit kundër interesave të Republikës së Shqipërisë, dje u shfaq në të njëjtën llogore gjykatësi Balliu, i cili një pallat të tërë pa leje të konfiskuar nga shteti në mes të Tiranë dhe të vendosur në funksion të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, e konsideroi si pronë legjitime të ndërtimtarëve të paligjshëm, duke vendosur masë sigurie në favor të tyre.

Fatkeqësisht as Gjeli as Balliu, nuk janë të vetmit prokurorë e gjykatës që po mbajnë gjallë në sistemin tonë të drejtësisë forcën e vjetër brutale të Antiligjit e të Antishtetit në dëm të interesave të shtetit, të komunitetit e të njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, sa herë që përballë tyre gjenden subjekte të biznesit të madh.

Swiss Digital Desktop Reklama

Pyetja që rilind në vend të ulërimës së revoltës edhe në këtë rast është, ku janë institucionet e pavarura të qeverisjes së gjyqësorit e të kontrollit të këtyre shpërdoruesve të pavarësisë së drejtësisë, të cilat prej kohësh po provojnë inekzistencën e tyre në raport me abuzime ulëritëse prokurorësh e gjykatësish të çdo niveli?

Swiss Digital Mobile Reklama

Njerëzit që na votojnë e kërkojnë llogarinë tek ne për qëndrimet Antiligj e Antishtet të njerëzve të drejtësisë së pavarësuar totalisht nga ekzekutivi. Po ne ku ta kërkojmë llogarinë në emër të interesave të tyre dhe të vetë shtetit, për këto e shumë thika të tjera pas shpinës që Republika jonë dhe plot qytetarë të saj marrin nga Gjelat e Ballinjtë brenda sistemit të drejtësisë, të cilët paguhen prej taksave të shqiptarëve më shumë e shumë më shumë se sa të gjithë rrogëtarët e tjerë të këtij shteti.

Një gjë është pak po e sigurtë: Mandatin e fortë për ta bërë Shqipërinë 2030 shtet të së drejtës, anëtar të Bashkimit Europian, shqiptarët nuk e na e dhanë për të ngritur duart lart përballë Gjelave të prokurorive e Ballinjve të gjykatave, qoftë kur shqelmojnë Republikën qoftë kur grushtojnë njerëzit që meritojnë drejtësi, vetëm drejtësi dhe as më shumë e as më pak se sa drejtësi.

Drejtësia vonon po nuk harron, thotë Populli. Për të gjithë.

Ndërkohë pak me pas Edi Rama ka zhvilluar një komunikim të drejtpërdrejtë në Facebook, ku u ndal te reformat në qeverisje, procesi i integrimit europian dhe ndërhyrjet për rregullimin e hapësirave publike.

Rama u shpreh se Shqipëria është vlerësuar bashkë me Italinë, Greqinë dhe Lituaninë për progresin në reformat e qeverisjes, por theksoi se puna nuk mbaron me kaq. Ai u bëri thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të kontribuojnë për ta bërë Shqipërinë një vend me standarde europiane, ku hapësira publike të respektohet dhe të mos abuzohet.

“Na duhet të jetojmë e të bashkëjetojmë me idenë se të gjithë bashkë duhet t’i japim një cilësi të re vendit tonë si një destinacion turistik dhe si një shtet i së drejtës. Nuk mund të bëhemi anëtarë të BE-së duke i ndarë mbrapsht punët”, tha Rama.

Duke iu referuar ndërhyrjeve për lirimin e hapësirave publike në Tiranë dhe qytete të tjera, Rama theksoi se nuk bëhet fjalë për një aksion të përkohshëm, por për një filozofi të qeverisjes që synon vendosjen e rregullave dhe respektimin e të drejtës së përbashkët.

“Nuk është aksion, por një mënyrë e të qëndruarit së bashku. Të gjitha ndërhyrjet në hapësirat publike do të trajtohen. Ato janë prona të qytetarëve dhe nuk mund të pushtohen pa leje,” shtoi ai.

Ai kujtoi se angazhimi i tij për hapësirat publike nuk ka nisur sot, por daton që nga koha kur ishte Ministër i Kulturës dhe më pas Kryetar Bashkie i Tiranës.

Rama gjithashtu komentoi edhe zërat kritikë që e akuzojnë për prishje të iniciativës private, duke sqaruar se qëllimi nuk është shkatërrimi i jetës urbane, por vendosja e një kufiri të qartë mes interesit publik dhe atij privat.

“Nuk jemi në Teheran, jemi në Tiranë. Nuk kemi dalë të sulmojmë kafenetë e restorantet, por të vendosim kufirin: trotuari është për qytetarët”, përfundoi Kryeministri.

 

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?