Kryeministri Rama tregon nismën e qeverisë: Koha që t’i lëmë pas llogoret e sherrit politik
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot nismën e re të qeverisë për këshillim kombëtar për Shqipërinë.
Rama u shpreh se të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen nëpër botë do t’u vihet në dispozicion një pyetësor për ti dhënë jetë, siç tha ai, një kuvendimi popullor ku do të merren mendimet e tyre për çështje me rëndësi strategjike për vendin tonë.
“Në prag të një Viti të Ri mundësish të reja, Qeveria vendosi t’i japë jetë një nisme të re demokratike duke hapur procesin gjithëpërfshirës të Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë. Me një pyetësor drejtuar çdo shqiptari, në Shqipëri apo në botë, do të zhvillojmë një kuvendim popullor ku duam mendimin tuaj mbi çështje me rëndësi strategjike për vendin, ekonominë, shoqërinë.
Është koha t’i lemë pas llogoret e sherrit politik që të hedhim hapa të mëdhenj përpara, duke u këshilluar së bashku për vendime me rëndësi politike, ekonomike e sociale.
Le të dëgjojmë njëri-tjetrin si njerëz të këtij vendi të bekuar, si shqiptarë e shqiptare që na ndajnë shumë gjëra, po na bashkon flamuri kuqezi dhe e ardhmja e fëmijëve tanë pa dallim”, tha Rama.