Kryeministri shkarkon për Vitin e Ri zëvendësin e tij, Gent Cakaj

Edi Rama i ka bërë Gent Cakajt dhuratën më të hidhur për festat e fundit vitit. Ditën e sotme, kreu i qeverisë njoftoi në mënyrë të papritur shkarkimin e Genc Cakaj nga kreu i diplomacisë shqiptare. Cakaj zyrtarisht ishte zëvendësministër dhe Edi Rama ministër, por kryeministri i kish besuar kompetencat e plota të ministrit të Jashtëm.

Edi Rama u kritikua që në fillim për zgjedhjen e Cakajt në krye të diplomacisë. Jo vetëm për shkak të mungesës së përvojës në Ministrinë e Jashtme, por edhe për qëndrimet që ka mbajtur pro idesë së shkëmbimeve të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithë kritikat që pati për këtë çështje dhe qëndrimit të Presidentit Ilir Meta për të vendosur në krye të diplomacisë një emër më përfaqësues, Edi Rama nuk u tërhoq. Rezultati dihet. Genc Cakaj nuk shkëlqeu në këtë detyrë pavarësisht besimit që i dha kreu i qeverisë. Gjatë kohës që drejtoi ministrinë, diplomacia shqiptare nuk njohu ndonjë rezultat pozitiv dhe e vetmja gjë me të cilën mburret Edi Rama është kryesimi i OSBE-së, një detyrë që ju dha sepse i erdhi radha dhe jo për merita të Shqipërisë.

Pas dështimeve në diplomaci, Edi Rama ka vendosur të rregullojë imazhin me një ministre si Olta Xhaçka. Kalimi nga Ministria e Mbrojtjes të Ministria e Jashtme është një hap normal për karrierën e Olta Xhaçkës, por para saj ka sfida që tejkalojnë mundësitë personale. Pasi Edi Rama e ka shkatërruar diplomacinë e Shqipërisë dhe qëndrimet e Shqipërisë ngjajnë me ato të Serbisë, pasi i ka kthyer raportet me Greqinë në pazare personale, Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka kaluar si institucion i dorës së dytë apo të tretë.

Ndërkohë emërimi i Niko Peleshit në Ministrinë e Mbrojtjes ngjan më shumë si një hap për efekte elektorale. Ish-zëvendëskryeministri i kabinetit të parë të Edi Ramës në vitin 2013 është lenë këto vite jashtë pushtetit. Mesa duket, me afrimin e zgjedhjeve Edi Rama po kërkon të afrojë figura që i sollën vota në vitin 2013 dhe që nuk janë bërë pjesë e akuzave dhe aferave që janë denoncuar nga opozita dhe mediat.

Ndryshimet e Edi Ramës sot në qeveri ngjajnë më shumë si makijazh elektoral, sesa vendime që sjellin cilësi më të mirë të qeverisjes. Në fund, emrat kanë pak rëndësi, sepse të gjithë e dinë se kushdo të jetë ministër, ai që vendos për çdo gjë është Edi Rama.

SHKARKO APP