Kryeministri: Ulja e çmimit të energjisë, e mirëmenduar. E para në këto 35 vite
Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat për të folur lidhur me uljen e çmimit të energjisë elektrike.
Rama tha se kjo masë është tërësisht e mirëmenduar dhe mbështetur në ekspertizën e brendshme dhe ndërkombëtare.
“Do të ndajmë me publikun një arritje që është nga më domethënëset e qeverisëse sime, uljen e parë në historinë e këtyre 35 viteve të çmimit të energjisë elektrike. Është një fakt i cili na mbush me krenari po të marrim parasysh se nga çfarë humnere e kemi nisur ngjitjen deri në këtë pikë.
Nga ana tjetër, po të marrim parasysh se çmimi i energjisë në kohët e sotme është në kundërtendecë të plotë me rajonin dhe kontinentin ku jetojmë, ku çmimet e energjisë janë rritur.
Kjo masë është më shumë se sa e mirëmenduar, e diskutuar gjerësisht në të gjitha nivelet. Shqipëria sot, falë masave që kemi marrë, është prodhues i madh energjie, më i madhi në rajon. Shqipëria 10 për qind të energjisë e merr nga dielli. Në total do të arrijmë objektivin e 30% të prodhimit të energjisë totale nga burime të tjera veç ujit. Në vitet e mira hidrike ne mbulojmë 75 % të nevojave. Ndaj ne nuk jemi sovran akoma. Por jemi 3 vite larg sovranitetit energjetik. 30% të volumit të përgjithshëm që na duhet, plus riciklimit, do të na bëjnë që të jemi sovran. Në vitet jo të mira hidrike ne e kemi 65% kapacitetin e prodhimit. Pra, jemi të varur nga importi, krizat dhe bursa. U deshën vite, por ne ia dolëm dhe t’ju themi në sy se ata që shpenzojnë deri në fashën 700 KW do të kenë një ulje të energjisë elektrike. Në vitin 2019, konsumi më i lartë i vitit ishte 21 milionë kilovat. Por natën e vitit të ri 2019 ka qenë konsumi më i lartë. Sot 22 milionë kw/orë është normaliteti. Pikun nuk e kemi më për vitin e ri, por e kemi gjatë verës dhe periudhës dhjetor-janar. Shqipëria është një vend tjetër, sepse rritja e konsumit të energjisë tregon rritje të ekonomisë, rritje të kapaciteteve në të gjitha shtresat për konsum të energjisë. Edhe ky është një fakt që na ndihmon të marrim këtë hap të uljes, pasi kemi më shumë konsum dhe të ardhura”, tha Rama.