Kryeministrja italiane e vizitoi në Mar-a-Lago, Trump i emocionuar nga takimi me Melonin: Ajo është një grua fantastike!

Kryeministrja italiane Georgia Meloni, ka vizituar së fundmi rezidencën Mar-a-Lago në Palm Beach, Florida, teksa u takua me presidentin e zgjedhur të SHBA, Donald Trump.

Të pranishëm në takim ishin edhe të nominuarit për postet e Sekretarit të Shtetit dhe Këshilltar të Sigurisë Kombëtare, Senatori Marco Rubio dhe republikani Mike Waltz.

Presidenti i zgjedhur Trump e ka konsideruar Melonin si një grua fantastike.

“Kjo është shumë emocionuese. Jam këtu me një grua fantastike, kryeministren e Italisë. Ajo me të vërtetë që e ka ‘pushtuar’ Europën me popullaritetin e saj”, u shpreh ai.

Nuk janë dhënë detaje rreth asaj që u diskutua në takim, megjithëse duket se liderja italiane, ashtu si edhe të tjerë liderë botërorë, kërkon të forcojë marrëdhëniet me presidentin e zgjedhur Trump, pak para se ai të marrë detyrën në 20 janar.

Një temë e mundshme e diskutuar mes tyre sipas CNN mund të jetë edhe ndalimi i gazetares italiane Cecilia Sala , e cila u arrestua në Iran muajin e kaluar.

Meloni do të takohet edhe me Presidentin Joe Biden gjatë udhëtimit të këtij të fundit në Romë këtë javë, ku pritet që presidenti në largim të falenderojë kryeministren italianëe për udhëheqjen e saj të fortë të G7-ës gjatë vitit të kaluar dhe do të diskutojë sfidat e rëndësishme me të cilat përballet bota.

Vizita e saj në Florida vjen pasi ajo darkoi me Trump dhe Musk gjatë rihapjes së Katedrales Notre Dame në Paris muajin e kaluar, një përvojë që Trump tha më vonë për New York Post se ishte pozitive.

Trump dhe Meloni, edhe pse të ngjashëm politikisht, nuk kanë të njëjta qëndrime sa i përket konflikteve dhe luftërave në botë.
Meloni ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Ukrainës, pasi është takuar me Presidentin Volodymyr Zelensky disa herë që nga nisja e sulmeve ruse.

SHKARKO APP