Kryeparlamentari Konjufca pas takimit me Ramën: Shqipëria nuk po na kupton
Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka dhënë detaje sa i takon takimit të tij me kryeministrin Edi Rama. Ai thotë se në fokus të bisedës ka qenë situata në veri të Kosovës dhe draft-raporti i propozuar prej kryeministrit shqiptar. Për këtë të fundit, Konjufca u shpreh skeptik pasi sipas tij në draft ka elementë që u japin autonomi territoriale serbëve në Kosovë.
“Ne patëm një krizë në vitin 2017 kur u duk si për Kosovën dhe Republika e Shqipërisë ishte në anën e asaj që ishte shkëmbimi territorial, mendoj që e ka dëmtuar Republikën e Kosovës, edhe ideja e Ballkanit të Hapur sepse është dallim nga ajo për të cilën ka nevojë Kosova. Dhe tani, është kjo e treta, që po ashtu po e dëmton Republikën e Kosovës kur ne jemi në të drejtën tonë dhe nuk po na kupton as Republika e Shqipërisë.
Unë mendoj se prej kësaj nuk ka gjëra pozitive, me këto pozicione Kosova vetëm dëmtohet. Zoti Rama ka ndarë elemente të Asocacionit, mirëpo ai pretendon që është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, mua më është dukur që element të caktuar te drafti i tij përmbajnë autonomi territoriale për serbët në Kosovë dhe kjo është në kundërshtim me interesin e popullit shqiptar”,-tha Konjufca për gazetarët.