Kryepolici Proda takim me drejtorët vendorë, lë edhe porositë e para: 3 kritere janë kryesore

Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda këtë të martë ka zhvilluar një takim me drejtorët vendorë të policisë, ku në fokus ishte analiza 9 mujore, performanca e punës së çdo punonjësi të policisë. Mbajtja nën kontroll e situatës kriminale dhe rritja akoma më shumë e parametrave të sigurisë publike dhe rrugore, lufta kundër trafiqeve të paligjshme dhe çdo paligjshmërie që shfaqet në territor, si dhe ndjekja në dinamikë e konflikteve dhe ankesave të qytetarëve ishin disa nga porositë e dhëna.

Takimi vjen vetëm pak ditë para hapjes së garës për drejtuesit e rinj të 12 qarqeve dhe 6 departamenteve në DPPSH. Brenda javës pritet miratimi i rregullave të garës dhe hapja zyrtare e saj. Proda u kërkoi drejtuesve vendorë të Policisë të qëndrojnë në krye të shërbimeve, të ushtrojnë kontroll për zbatimin e detyrave nga vartësit dhe të jenë vigjilentë ndaj shqetësimeve dhe ankesave të qytetarëve.

Pavarësisht përcaktimeve në ligjin e ri të policisë që drejtuesit vendorë duhet të hyjnë në konkurrim, Proda u ka kërkuar drejtuesve vendorë të kryejnë detyrën me përkushtim sa kohë që janë në atë detyrë. Në përfundim, mësohet se kryepolici Proda ka theksuar se performanca në punë, integriteti dhe profesionalizmi janë kriteret thelbësore për një punonjës policie, dhe mbi këto kritere do të bazohet vlerësimi i secilit punonjës policie.

SHKARKO APP