Kryepolici Rrumbullaku në Bukuresht: Më shumë shkëmbim informacioni dhe operacione të përbashkëta

Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, zhvilloi sot një takim në Qendrën për Zbatimin e Ligjit në Evropën Juglindore-SELEC, me qendër në Bukuresht, në kuadër të vizitës zyrtare në Rumani.

Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar u prit nga drejtori i përgjithshëm i SELEC, Oguz Serkant Akin, i cili e njohu drejtuesin e Policisë shqiptare me aktivitetin e organizatës, që bashkon sinergjitë e policive dhe autoriteteve doganore të 11 vendeve anëtare, me synimin për të përmirësuar luftën kundër të gjitha formave të krimeve ndërkufitare, përfshirë krimet e rënda dhe atë të organizuar, si dhe për të lehtësuar bashkëpunimin në Evropën Juglindore.

Rrumbullaku falenderoi SELEC për mbështetjen logjistike që u jep punonjësve të Policisë së Shtetit në zhvillimin e aktiviteteve, siç janë takimet operacionale dhe shkëmbimi i informacionit me autoritetet ligjzbatuese të vendeve anëtare dhe atyre partnere.

“Duke vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm me SELEC, Policia e Shtetit nënvizon si prioritar rritjen e numrit të hetimeve të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve të njësive të specializuara për luftën kundër krimit të organizuar, nëpërmjet sigurimit të trajnimit të punonjësve dhe të pajisjeve të nevojshme”, u shpreh Rrumbullaku.

Në këtë kuadër, Policia e Shtetit do të jetë edhe më aktive në drejtim të shfrytëzimit të mundësive dhe kapaciteteve, që SELEC ofron dhe mundëson.

SHKARKO APP