Kryepolici Rrumbullaku pret delegacionin e Guardia di Finanza, vlerëson bashkëpunimin mes palëve

Drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku mirëpriti një delegacion të Guardia di Finanza nga Qendra Detare e Formia, Itali, që kryesohej nga Gjeneral Brigade Antonello Maggiore. Gjatë këtij takimi u vlerësua bashkëpunimi, partneriteti, profesionalizmi dhe besimi reciprok, mbi të cilat është ndërtuar marrëdhënia e Policisë së Shtetit me kolegët e Guardia di Finanza, prej më shumë se dy dekadash.

Partneriteti me kolegët e GDF-së është konkretizuar me gatishmërinë absolute të të dyja palëve, për të kontribuar në kontrolle të përbashkëta, në patrullime, monitorime, shkëmbime eksperiencash dhe asistencë me pajisje policore bashkëkohore. Ky bashkëpunim konstant është finalizuar me qindra operacione të përbashkëta kundër kultivimit të bimëve narkotike, trafiqeve të paligjshme, kontrabandës së naftës dhe kundër krimeve të tjera kufitare.

Drejtori i Përgjithshëm iu ka prezantuar kolegëve të GDF-së, një material filmik që paraqiste trajektoren e zhvillimit të bashkëpunimit me partnerët italianë dhe rezultatet e punës së Policisë së Shtetit, gjatë 6 muajve të parë të këtij viti. Gjatë këtij takimi, Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi edhe kontributin e zyrës së Ekspertëve të Sigurisë në Ambasadën e Italisë në Shqipëri dhe të nukleve të GDF-së në Durrës dhe në Vlorë.

Të dyja palët shprehën gatishmëri dhe angazhim të plotë për të forcuar më shumë urat e bashkëpunimit, të cilat si rezultat i profesionalizmit dhe besimit reciprok, kanë gjeneruar rezultate shumë pozitive në luftën kundër paligjshmërive dhe në të mirë të qytetarëve të të dyja vendeve.

SHKARKO APP