Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko kërkon që Gjermania të dërgojë raketat “Taurus”

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, i bëri thirrje kancelarit gjerman, Friedrich Merz të mbajë qëndrimin e tij mbi deklaratat e mëparshme që tregonin se Gjermania mund të jetë gati të dërgojë raketa kruiz “Taurus” në Ukrainë, në një artikull të botuar sot.
“Në të kaluarën, kancelari Friedrich Merz tha me saktësi të plotë se sulmet ruse ndaj objektivave civilë duhet të nxisin dërgimin e raketave ‘Taurus’”, shkroi ish-kampioni i boksit në gazetën “Bild”.
Klitschko sulmoi “terrorin e pastër” të ndërmarrë nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili po bëhet gjithnjë e më ekstrem natën.
“Dy mijë ndërtesa janë shkatërruar vetëm në qytetin tonë. Ka të plagosur dhe të vdekur vazhdimisht”, shkroi ai.
“Putini ka treguar se nuk do një armëpushim, paqe apo dhënien fund të luftës”, shkroi Klitschko.
“Qëllimet e Putinit janë plotësisht të qarta. Ai ende dëshiron ta vërë të gjithë Ukrainën nën kontrollin e tij, pavarësisht kostos”, shkroi ai.
Paraardhësi i kancelarit Merz, Olaf Scholz, refuzoi të furnizonte me raketa, me rreze të gjatë veprimi, 500 kilometra, nga frika se mos e fuste Gjermaninë më tej në luftë.
Por, Merz ka bërë deklarata të paqarta mbi këtë çështje, duke preferuar të thotë se Gjermania do ta ndihmojë Ukrainën të prodhojë raketat e veta.
ATSH