Kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, hap edicionin e Vajzëfest 2025
Nata e parë e “Vajzëfest – Art, Film, Trashëgimi” ka sjellë atmosferë të veçantë në fshatin Vajzë të Vlorës, duke e kthyer këtë zonë në një qendër të artit, kulturës dhe mikpritjes shqiptare. Kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj, në një postim në rrjetet sociale ka ndarë momente nga hapja e festës, duke ftuar qytetarët të bashkohen në aktivitetet e ditëve në vijim.
“Me këto momente nga nata e parë e Vajzë Fest, ju mirëpresim sot në orën 17:00 në Amantia në natën Olimpike”, ka shkruar ai.
Një nga risitë e këtij edicioni është “Dita Olimpike” në Parkun Arkeologjik të Amantias, nën kujdesin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, duke rikthyer simbolikisht shpirtin e lojërave të lashta në një hapësirë historike.
Vizitorët mund të marrin pjesë edhe në ecje malore, kampingje nën yje dhe eksplorime të natyrës, nga ujvara e Rasalit te rrënojat e Amantias, ndërsa përvoja pasurohet me shijen e gatimeve tradicionale dhe mikpritjen karakteristike të banorëve të Vajzës.
Festa organizohet nga Shoqata e fshatit Vajzë në bashkëpunim me Bashkinë Selenicë dhe synon të ruajë e promovojë trashëgiminë kulturore, duke e lidhur me rrymat bashkëkohore të artit.
👉 VAJZA ju pret deri më 24 gusht me art, kulturë dhe mikpritje tradicionale.
KOHA JONË SONDAZH

