Kryetari i KLSH-së takon ekspertin   e Misionit OPDAT në Shqipëri

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit takohet me z. Gjon Junçaj, Këshilltar Ligjor Rezident i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara

Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj zhvilloi një takim pune me z. Gjon Junçaj, Këshilltar Ligjor Rezident i Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe ekspert i misionit të OPDAT në Shqipëri. Në këtë takim, Junçaj vlerësoi rolin dhe kontributin e deritanishëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit në luftën kundër korrupsionit duke shprehur dëshirën e forcimit të mëtejshëm të këtij roli dhe kontributi të KLSH-së jo vetëm në bashkëpunimin me organin e Prokurorisë apo institucionet e tjera ligjzbatuese, por edhe me strukturat e mëvonshme të specializuara hetimore si Byroja e Hetimit që priten të ngrihen në funksion të reformës në drejtësi. Në fjalën e tij, kryetari i KLSH-së bëri një rezyme të përgjithshme të punës dhe veprimtarisë audituese të Kontrollit të Lartë të Shtetit përgjatë këtyre viteve të fundit, duke theksuar një sërë treguesish dhe arritjesh të këtij institucioni si rritja e performancës institucionale të KLSH-së, përmirësimi i cilësisë së auditimeve, rritja e shkallës së zbulueshmërisë së dëmeve ekonomike, rritja progresive e numrit të kallëzimeve penale të depozituara pranë organit të Prokurorisë, rritja e trajnimeve të stafit të KLSH-së, rritja e bashkëpunimit të këtij institucioni me strukturat akademike dhe shoqërinë civile, si dhe rritja e prezencës së këtij institucioni në median e shkruar dhe atë elektronike në funksion të një transparence sa më të madhe institucionale, kontribuimit si institucion i rëndësishëm kushtetues në mirëqeverisjen e vendit dhe çinstalimit të antikulturës së pandëshkueshmërisë. Teksa Junçaj tregoi një interes të veçantë në lidhje me bashkëpunimin e deritanishëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit me organin e Prokurorisë dhe institucionet e tjera shtetërore, duke kërkuar njëkohësisht edhe paraqitjen e çfarëdolloj problematike që KLSH ka hasur përgjatë këtyre viteve në kryerjen e veprimtarisë audituese si dhe dhënien e ideve se si mund të forcohet në të ardhmen roli, kontributi dhe bashkëpunimi i këtij institucioni e institucioneve të tjera ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit. Sipas Leskaj, një element i rëndësishëm në veprimtarinë institucionale të Kontrollit të Lartë të Shtetit, si institucion suprem auditimi mbetet zbatueshmëria e rekomandimeve të tij nga ana e institucioneve përkatëse shtetërore, theksuar kjo në çdo Progres Raport të viteve të fundit të Komisionit Europian. “Në këtë aspekt një rol të veçantë përveç medias dhe opinionit të gjerë publik, luan edhe Kuvendi i Shqipërisë, agjent të të cilit ne konsiderohemi dhe nisur nga ky fakt jo pa qëllim KLSH-ja ka intensifikuar së tepërmi këto vitet e fundit bashkëpunimin me komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit”, tha gjithashtu kreu i KLSH-së.

VLERËSIMI

Nga ana e tij, Junçaj vlerësoi rolin dhe kontributin e deritanishëm të Kontrollit të Lartë të Shtetit në luftën kundër korrupsionit duke shprehur dëshirën e forcimit të mëtejshëm të këtij roli dhe kontributi të KLSH-së jo vetëm në bashkëpunimin me organin e Prokurorisë dhe institucionet e tjera ligjzbatuese, por edhe me strukturat e mëvonshme të specializuara hetimore si Byroja e Hetimit që priten të ngrihen në funksion të reformës në drejtësi.

MESAZHI

 “SHBA e ambasadori Lu, ndihmë e madhe për reformën në drejtësi”

Në përfundim të këtij takimi, kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj i kërkoi Junçajt që t’i përcjellë në mënyrë miqësore Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara, Donald Lu, falënderimet e tij të veçanta për prezencën e tij inkurajuese në analizën vjetore të KLSH-së 2015, si edhe mirënjohjen për kontributin e pazëvendësueshëm që sipas tij, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Lu po japin në lidhje me reformën në drejtësi, pa të cilët kjo reformë nuk mund të realizohet. “Në këtë mision të rëndësishëm, – theksoi Leskaj, -ambasadori i SHBA-ve, Donald Lu, ka si aleat gjithë opinionin e gjerë publik dhe popullin shqiptar”. Nga ana e tij, Junçaj, u shpreh mjaft optimist për bashkëpunimin në të ardhmen ndërmjet OPDAT dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke kërkuar edhe angazhimin e afërt të KLSH-së sidomos në fushën e trajnimeve dhe dhënies së ekspertizës profesionale audituese.

SHKARKO APP