Kryetari i Kuvendit, z. Ilir Meta, u prit sot në Rabat nga Presidenti i Parlamentit të Marokut, z. Rachid Talbi Alami

Duke biseduar mbi konkretizimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, z. Meta vuri në dukje rëndësinë e plotësimit të kuadrit ligjor bilateral, që do të hapë rrugën për rritjen e ndjeshme të shkëmbimeve ekonomike e tregtare mes Shqipërisë dhe Marokut. “Marrëdhëniet tona kanë një perspektive dhe potencial të qartë zhvillimi”, u shpreh z. Meta “ndaj nevojitet që të punojmë së bashku për konkretizimin e mëtejshëm të tyre”.

 

Z. Alami dhe z. Meta ndanë bindjen se dy parlamentet duhet t’a forcojnë bashkëpunimin ne nivel dypalësh dhe në kuadër të platformave ndërkombëtare si OKB, Bashkimi për Mesdheun, Organizata për Bashkëpunim Islamik dhe Unioni Ndër-Parlamentar jo vetëm përmes grupeve të miqësisë, por edhe përmes komisioneve reciproke parlamentare.

Z. Meta ripërsëriti ftesën për një vizitë të Presidentit të Dhomës së Përfaqësuesve të Marokut z. Alami në Shqipëri, ftesë e cila u pranua me kënaqësi.

Në përfundim, z. Meta dha një prononcim për shtyp:

“Është një nder i madh për mua si Kryetarit i Kuvendit të Shqipërisë që të ndodhem për vizitë në Marok dhe u prita në takim nga Presidenti i Dhomës së Përfaqësuesve të Marokut, z. Rachid Talbi Alami. Një koleg i nderuar me të cilin ne ndamë dëshirën e fortë për të forcuar edhe më tej marrëdhëniet mjaft të mira që ekzistojnë mes dy vendeve tona, për të pasur një bashkëpunimi më të madh mes dy parlamenteve në ardhmen, për të mbështetur njëri-tjetrën në forumet apo organizatat ndërkombëtare ku vendet tona aderojnë dhe me të cilat vendet tona gëzojnë marrëdhënie të veçanta dhe bashkëpunuese. Do të dëshiroja të punonim bashkë për të inkurajuar qeveritë tona për të kompletuar sa më parë kuadrin ligjor të marrëdhënieve në fushën e ekonomisë, tregtisë apo kulturës mes Shqipërisë dhe Marokut. Sepse ne jemi ambiciozë për një të ardhme më të mirë për vendet tona, për popujt tanë, por njëkohësisht ne jemi ambiciozë për të pasur marrëdhënie më shumë produktive mes Mbretërisë së Marokut dhe Republikës së Shqipërisë.

 

Kjo nuk është vizita e parë e një Kryetari të Kuvendit të Shqipërisë në Marok, por është vizita e dytë, gjë që tregon se Shqipëria është e vendosur për të përmirësuar akoma më shumë marrëdhëniet me Marokun. Ne mendojmë se Maroku është një faktor kyç për stabilitetin e këtij rajoni, por gjithashtu është një vend shumë i rëndësishëm për të ardhmen e të gjithë kontinentit. Ne duhet të shohim përpara për të pasur në të ardhmen rezultate më të mira në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

 

 

 

SHKARKO APP